Ballina Aktualitet

Rama: Lojërat e fatit online në duart e njerëzve që shkelin ligjin

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një dëgjesë publike për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre, se veprimtaria e lojërave të fatit online nuk duhet të zhvillohet nga duart e njerëzve që shkelin ligjin.

Rama u shpreh se, “ministrja e Financave nuk është ulur në këtë anë, sepse ministrja e Financave e shikon detyrimisht duke pasur këtë funksion në aspektin buxhetor, dhe në aspektin buxhetor kjo është pa dyshim një ndërhyrje e arsyeshme, sepse heq nga ekonomia e zezë dhe sjell në arkën e shtetit një shumë jo të vogël”.

“Por dua të them dy gjëra si reagim apo reflektim pas fjalëve të personave kryesorë që përfaqësojnë gjithë organizatat sportive të Shqipërisë. E para, jam shumë dakord që nëse ne e kthejmë, dhe në fakt si për çdo gjë tjetër, për hir të së vërtetës në Shqipëri sipas meje, nëse ne e kthejmë kokën pas se ku ishim, jemi sot si dita me natën, por nëse shohim përpara se ku duhet të jemi, jemi sot si nata me ditën, për hir të së vërtetës. Kemi pasur një bashkëpunim, absolutisht shumë pozitiv me FSHF-në, kemi bërë disa stadiume, kemi arritur deri në pikën që me stadiumin që ndërtuam në Tiranë të sjellim një finale evropiane, që as nuk… Por faktikisht nevojat janë shumë më tepër sesa nevojat që ne kemi plotësuar”, tha Rama.

“Kemi bërë palestra kudo dhe falë atyre palestrave që kemi bërë kudo në shkolla, kemi tani mundësi të hyjmë në kalendarin e parë sportiv kombëtar në nivel bashkie, në nivel qarku në nivel kombëtar me skuadrat sportive të fëmijëve. Kemi regjistruar afro 650 skuadra deri tani, vajza, djem, volejboll, basketboll dhe jemi në fazën e fundit kur KOKSH po krijon të gjithë bazën materiale, sepse të gjithë fëmijëve do t’u jepen uniforma, topa, trajnerëve do t’u jepet mbështetje etj. Por e vërteta është që i kemi dhënë një shumë masive si asnjëherë më përpara Komitetit 5 milionë, por e kuptoj shumë mirë Fidelin se dakord, po vitin tjetër, po vitin tjetër. Dhe nëse japim çdo vit nga 5 milionë nga buxheti do ta heqim nga diku tjetër. E kemi hequr por arsyetimi bën sens. Pse mos ja heqim nga duart atyre që shumë më tepër sesa 5 milionë i qarkullojnë, s’paguajnë asnjë taksë dhe ushqejnë të gjithë të keqen”, u shpreh Rama.

“Reflektimi i fundit që kam në këtë moment është ky. Kemi bërë shumë përpjekje dhe do të doja t’ia jepja fjalën zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, deri para pak kohësh drejtor i Departamentit  të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, sepse realisht ka qenë një nga pikat që kemi diskutuar intensivisht dhe ku drejtori ka realisht investuar shumë nga kapaciteti i tij dhe nga kapaciteti i gjithë Departamentit dhe i gjithë Policisë, disa aksione të suksesshme etj. Por e vërteta është që kur është nisur ky debat unë në fakt kam parë anën tjetër, anën time si të thuash, duke u konsultuar me disa, s’po përmend emra, 2-3 se nuk janë shumë, prej kryeministrave apo Presidentëve të vendeve që i kanë të ndaluara komplet. Dhe përgjigjja e sinqertë ka qenë, online është i pandalueshëm. Problematika e online në të zezë është dhe në ato vende që për arsyet e tyre të natyrës ideologjike, apo të natyrës morale e kanë ndaluar. Dhe në të gjithë diskutimet që kemi bërë me ekspertë të botës digjitale rezulton e pamundur që të bllokohet sistemi. Kjo edhe mua më bën të prirur për të qenë i hapur ndaj kësaj zgjidhje, sepse është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duart e njerëzve që shkelin ligjin dhe ku siç thashë, kanë figuruar aktive dhe me përfitime krejt të paarsyeshme elementë me profil të lartë në krimin e organizuar”, theksoi Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërkujtohet artisti shumëdimensional, Maks Velo
Artikulli tjetërDhunimi i 11-vjeçares, protestë në Tiranë dhe Prishtinë