Ballina Ekonomi

Marrëveshja për pensionet, Bucci: E bazuar mbi reciprocitetin

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci u shpreh sot se, janë mbyllur negociatat mes Shqipërisë dhe Italisë për marrëveshjen e pensioneve.

“Ky është pasazhi i fundit i një rrugëtimi të gjatë që ka nisur tashmë prej shumë vitesh. Tashmë që kemi mbyllur negociatat do të mund të firmosim një marrëveshje, e cila do t’u bëjë të mundur shtetasve shqiptar, që janë kthyer në Shqipëri, që kanë derdhur kontributet e tyre në Itali që të mund t’i marrin këto kontribute”, tha Bucci në një konferencë për shtyp me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Por, shtoi ai, “ka edhe një faqe tjetër të medaljes. Numri i shtetasve italianë që transferohen në Shqipëri tani fillon të rritet. Është një marrëveshje e bazuar mbi reciprocitetin. Kështu që dhe shtetasit italianë që punojnë dhe derdhin kontribute këtu në Shqipëri, falë kësaj marrëveshjeje mund të përfitojnë nga këto përfitime të sigurimeve shoqërore nga shteti shqiptar”.

Bucci theksoi se, “ky është një moment shumë i rëndësishëm ky, sepse është një urë tjetër lidhjeje që po ndërtojmë mes dy vendeve tona. Dy vende që janë të integruar shumë gjërë. Kemi një komunitet shumë të madh shqiptarë të integruar që punojnë në Itali. Më shumë se 700 mijë po të shikojmë të dhënat e fundit. Gati 50 mijë ndërmarrje italiane me nipt janë me titullarë shtetas shqiptarë. Është një numër shumë i madh. Kontributi i dhënë nga shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali dhe nga komuniteti italian po ashtu është i jashtëzakonshëm. Paguajnë kontributet e tyre dhe falë kësaj marrëveshjeje do të arrijmë të plotësojmë këtë mangësi që ekziston në sistemin tonë”.

“Shohim drejt të ardhmes me besim pas 30 vitesh nga fillimi i ardhjeve të para të shtetasve shqiptarë në Itali. Trafiku ishte nga kjo anë, nga Shqipëria në Itali. Tani po rritet nga Italia në Shqipëri, numri i shtetasve italianë që vetëm vijnë të vizitojnë vendin tuaj shumë të bukur si turistë, por edhe vendosin të qëndrojnë këtu, të vendosen këtu. Sepse këtu sipas të dhënave të fundit të INSTAT kemi qindra ndërmarrje italiane që punojnë, ushtrojnë veprimtarinë këtu. Me shumë italianë që jetojnë e punojnë këtu, derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore në sistemin e mbrojtjes shoqërore shqiptare. Pra janë numra që fillojnë të rriten. Dhe kishte vërtetë nevojë për një mjet të ri ligjor që të rregullonte, të disiplinonte gjithë këtë situatë ekonomiko-financiare”, u shpreh Bucci.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBici: Shuhen plotësisht 20 vatra zjarri, 442 forca në terren
Artikulli tjetër”White noise” hap Festivalin e Filmit të Venecias