TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është drejt përfundimit, si një investim që sjell lehtësi në shërbimet shëndetësore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT.
“Mirëmëngjes dhe me Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, ku po punohet për të finalizuar një ndër investimet më të rëndësishme të shëndetësisë në dekadat e fundit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT do të jetë gati brenda vitit. Ai do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë dhe pjesë e tij do të jenë edhe 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë.
Ky është një spital me sipërfaqe 26700 m2. Urgjenca aktuale do transferohet në këto mjedise. Spitali do të përfshijë repartet e hemodinamikës që sot janë në godina të ndryshme. Po ashtu, krijohen mjedise për triazhimin dhe shërbime të ndara. Spitali do ketë 317 shtretër dhe gjithashtu edhe një spital ditor me 60 shtretër.
/j.p/r.e/























