TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm e Doganave, Genti Gazheli, mori pjesë në mbledhjen e sesioneve të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), organi më i lartë vendimmarrës i Organizatës.
Gjatë këtij takimi që po zhvillohet në selinë e OBD-së, në Bruksel, në datat 23-25 qershor drejtori i Doganave Gazheli, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OBD-së, Kunoi Mikuriya, si dhe me drejtorët e Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perendimor, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në njoftimin për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, theksohet se, “gjatë këtij sesioni u trajtuan temat: raporti standardeve nga Komitete të ndryshme të OBD-së, të cilat i nënshtrohen miratimit të Këshillit; çështjet që rrjedhin nga sesioni i 86-të i Komisionit të Politikave; mbështetja që shtetet anëtare po i japin Ukrainës si dhe Deklarata e Ukrainës për veprimet ushtarake të Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, të cilat dëmtojnë bashkëpunimin global doganor”.
Gjithashtu pritet të bëhen nominimet dhe zgjedhjet për postet vakante dhe përfaqësimin rajonal, ku një prej votimeve më të rëndësishme ishte ajo për postin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të OBD për periudhën 2023-2027.
/r.e/























