TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, iu përgjigj interesit të gazetarëve nëse lufta ruse në Ukrainë e ka bërë më të komplikuar situatën në rajon për shkak të nacionalizmit.
“Përgjigjja është jo! Kjo ka sjellë më shumë energji dhe bindje tashmë që ajo që po bënim është gjëja e duhur për t’u bërë. Kjo më ka bërë mua shumë më të vetëdijshëm madje, se ajo që flisja më parë si një kërcënim teorik, nuk është më kërcënim teorik. Shpresoj që edhe ata që takuam sot ta shohin në atë mënyrë”, tha Rama.
“Kemi folur për këtë, por ishte më teorike, tani është reale, e vërtetë, dhe na duhet të jemi sa më afër, të udhëheqim përmes shembullit dhe t’u tregojmë të tjerëve se kjo është rruga ku duhet të ecim dhe për të mirëpritur e përqafuar të gjithë ata që duan të bëhen pjesë”, shtoi Kryeministri.
/j.p/r.e/























