BRUKSEL, 23 qershor /ATSH/- Sot nuk u arrit asnjë rezultat konkret, por ka pasur një diskutim të mirë dhe nuk dua ta nënvlerësoj rëndësinë e tij. Politika nuk sillet gjithmonë rreth rezultateve, deklaroi sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiç në një konferencë për shtyp pas takimit me liderët e BE-së, në Bruksel, sipas rainews.it.
“Natyrisht, negociatat nuk u hapën për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinës nuk iu dha statusi i kandidatit dhe Kosovës nuk iu miratua liberalizimi i vizave”, tha Vuçiç.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se ishte dakord me propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron për ngritjen e një “komuniteti politik” pasi kjo ishte e vetmja mënyrë që Ballkani të dëgjohej. //a.i/























