TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, mbi 707 mijë persona janë sot të regjistruar si të punësuar, ndërsa në 2013-ën ishin 349 mijë.
Në një replikë me deputeten e PD, Jorida Tabaku, Rama u shpreh se, “unë kam këtu një grafik, jo të qeverisë shqiptare, i cili flet për punësimin dhe përtej të gjitha spekulimeve që mund të bëhen mbi punësimin, papunësinë, profesionistët, joprofesionistët. Unë di këtë që kur ne kemi marrë detyrën, të regjistruar në total në punë në Republikën e Shqipërisë ishin 349 mijë persona. Tani di këtë që sot të regjistruar janë 707 mijë persona dhe 892 të tjerë mbrapa, por po e lëmë me 707 mijëshen. Pra nga 349 mijë, në 707 mijë të punësuar të regjistruar. Nga të cilët 523 mijë janë sektor privat”, tha Rama.
“Atëherë, si dalin këto llogaritë që këtu paska rënë puna? Këtu paska marrë të përpjetën papunësia. Nuk po flasim për shifra, statistika të ngritura mbi anketime, po flasim për shifra të nxjerra nga regjistrat”, theksoi Rama.
“Paga mesatare mujore në sektorin privat është rritur me 10.5 %, në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. 10.5 %. Ndërkohë që inflacioni mesatar i 3 muajve të parë ishte rreth 4.43 %”, u shpreh Rama.
“Këto janë shifra, meqë ju lexoni. Ose bëjeni një sakrificë dhe nxirrjani parlamentit burimet e rezervuara të shifrave që ju keni dhe që ne nuk i dimë ku janë. Por këto janë fakte të institucioneve, jo të miat”, tha Rama.
/a.a/r.e/






















