Ballina Aktualitet

Rama: Borxhi publik është 76.1%, jo treshifror

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, borxhi publik është 76.1 %, jo treshifror siç thotë opozita.

Në një replikë me deputeten e PD, Jorida Tabaku, Rama u shpreh se, “raporti që po diskutojmë, nuk është një raport i qeverisë shqiptare dhe nuk besoj se mund të vihet në dyshim për herë të parë, sot, pas shumë vitesh që s’është vënë ndonjëherë në dyshim, fakti që Banka e Shqipërisë, prodhon raporte të pavarura nga qeveria shqiptare”.

“Nuk jemi ne që e themi është Banka e Shqipërisë që thotë se borxhi publik është 76.1 %. Ju thoni është treshifror. Nuk e di pse jeni kaq të dhënë pas tre shifrave. 430 milionë shifra e famshme. 385 shifra tjetër e arbitrazhit. Edhe borxhi na doli me tre shifra. Nga dalin këto znj. Tabaku? Ku dalin? Ose na tregoni që nga dalin, që dhe ne t’i shikojmë dhe pastaj të biem dakord që kemi burim të përbashkët të dhënash, ose do t’ju lutesha që gjatë leximeve tuaja të shumta t’i lexoni edhe këto të dalurat e Bankës së Shqipërisë për shembull”.

“Si ka mundësi që të paktën një shifër, e cila është në raport këtu dhe që ka një domethënie sa shumë të tjera, të kredive të këqija, ju dhe atë ta merrni dhe ta ktheni sikur është një problem. Kreditë e këqija sot 5 diçka për qind, krahasim me 24 % që ishin kur ne morëm detyrën. 24 %. Ku gjendet kjo kurajo?”, u shpreh Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Mbi 707 mijë të punësuar, nga 349 mijë kur morëm detyrën
Artikulli tjetërFOKUS – Stoltenberg: Samiti i Madridit do të transformojë NATO-n