Ballina Ekonomi

Inflacioni në rritje, Sejko: Ekonomia jonë ka premisa të shmangë recesionin

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ “Banka e Shqipërisë po vijon të monitorojë situatën e krijuar nga rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe mbi bazën e informacioneve dhe analizave, gjykon se ekonomia shqiptare ka premisa të mjaftueshme për t’i rezistuar goditjes dhe për të shmangur recesionin”.

Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa theksoi se, stabiliteti i çmimeve është një ndër prioritetet e Bankës Qendrore.

Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të BSH-së për vitin 2021, në seancën plenare të Kuvendit, Guvernatori, evidentoi sfidën aktuale me të cilën po përballet ekonomia shqiptare, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore.

“Kjo goditje nuk ka kursyer asnjë ekonomi, jo vetëm në nivel evropian, por dhe në nivel botëror”, tha Guvernatori, teksa bëri të ditur se, rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë, të ushqimeve dhe të produkteve bazë në tregjet botërore, ka shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe ka rritur kostot e prodhimit të bizneseve.

Sejko theksoi se, paqartësia mbi kohëzgjatjen dhe pasojat e konfliktit të armatosur në Ukrainë, ka shtuar pasiguritë në tregjet financiare dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit. Kjo goditje, vijoi ai, ka filluar të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare.

“Inflacioni në vend dhe në botë po regjistron nivelet më të larta të dy dekadave të fundit dhe projeksionet aktuale sugjerojnë se pasojat e kësaj goditjeje do të jenë të ndjeshme edhe gjatë vitit në vazhdim”, deklaroi Sejko.

“Në këto rrethana, vijoi Guvernatori, fokusi i politikave ekonomike duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar të vendit dhe për rritje të qëndrueshme e afatgjatë, dhe në ndihmën ndaj shtresave më në nevojë”.

“Ky fokus do të kërkojë rishikimin në vazhdimësi të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, si dhe ruajtjen e fleksibilitetit buxhetor për të adresuar kontigjencat e mundshme në drejtim të lehtësimit të kostove sociale, pa dëmtuar qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik”, tha Sejko.

Sipas tij, me tejkalimin e kësaj goditjeje, fokusi i BSH-së, do të orientohet dhe njëherë drejt ndërmarrjes së reformave të nevojshme strukturore të cilat do të çlirojnë potencialet prodhuese të vendit dhe do të ndihmojnë në rritjen më të shpejtë të mirëqenies së shoqërisë.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAhmetaj: Taksat për “oligarkët” i çuam 15%, për biznesin e vogël i zeruam
Artikulli tjetërRama: Mbi 707 mijë të punësuar, nga 349 mijë kur morëm detyrën