Ballina Aktualitet

Meta: Monitorimi i çmimeve nga bordet, vetëm propagandë

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh sot se, monitorimi i çmimeve nga bordet i ka shërbyer vetëm propagandës së Qeverisë dhe nuk ka mbrojtur realisht qytetarët.

“Në vazhdimësi kam shprehur shqetësimet në lidhje me goditjen e ekonomive familjare dhe thellimin e varfërisë në kushtet e rritjes galopante të çmimeve. Monitorimi i çmimeve nga bordet i ka shërbyer vetëm propagandës së Qeverisë dhe nuk ka mbrojtur realisht qytetarët dhe në veçanti shtresat në nevojë, nga barra e rëndë e rritjes të kostos së jetës”, tha Meta.

“Në vlerësimin dhe sugjerimin tim ka qenë nevoja e politikave për mbrojtjen sociale nëpërmjet indeksimit të pagave, të pensioneve dhe të ndihmës ekonomike”, theksoi Meta.

“Misioni  i Fondit Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit vëren se Shqipëria po përballet me dy goditje për ekonominë e saj, rritjen e çmimeve dhe rrezikun e financimit të huaj të borxhit publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar Qeverinë për nevojën e mbështetjes të mirë-orientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve”, nënvizoi Meta.

Meta u shpreh se, “mbetet gjithashtu e domosdoshme ulja e borxhit publik dhe veҫanërisht nevojat për rifinancim të tij”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Gjermania nuk është kundër “Ballkanit të Hapur”, kërkon gjithëpërfshirje
Artikulli tjetërBallanca: Reforma në Drejtësi të justifikojë besimin e qytetarëve