TIRANË, 20 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Ballkani i Hapur” do të vazhdojë dhe se të gjitha vendet janë të ftuara të përfshihen, ndërsa theksoi se deklaratat se Gjermania është kundër nismës janë ushqim për konsum rajonal.
“Dua ta ritheksoj, isha dje në Berlin dhe kemi pasur takime me të gjitha partitë politike në Bundestag, dhe me ministren e Jashtme gjermane dhe miti që është krijuar se Gjermania është kundër nismë së “Ballkanit të Hapur” është një ushqim për konsum lokal”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se Gjermania nuk është kundër nismës, por kërkon që “Ballkani i Hapur” të jetë gjithëpërfshirës.
“Gjermania nuk është kundër “Ballkanit të Hapur”, por kërkon që të jetë gjithëpërfshirës dhe këtë e tha edhe Presidenti: që të gjithë janë të inkurajuar që të përfshihen.Kështu që jemi të qartë, madje me Presidentin po diskutonim, dhe ai solli shembullin e Beneluksit. Kështu nisi edhe ai proces, nisi fillimisht me më pak vende se sa pastaj u përfshinë“, deklaroi Rama.
Rama tha se është një nismë që synon jetësimin e të gjitha parimeve të lirisë së BE, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve dhe që kërkon që të ecet më shpejt për të garantuar zbatimin e atyre që kemi dakordësuar në Procesin e Berlinit.
“Procesin e Berlinit që është themeli i “Ballkanit të Hapur” nuk mund ta implemetojnë as kancelaria gjermane, as presidenca franceze, as Bashkimi Europian në Bruksel, duhet ta implementojmë ne, këtu, ndaj është krijuar “Ballkani i Hapur” dhe do të vazhdojë, dhe ne jemi të hapur për të gjitha vendet që të vijnë dhe të ulemi të punojmë për ato gjëra për të cilat mund të biem dakord. Historia na ka mësuar që nuk arrihet te paqja përfundimtare dhe zgjidhja e të gjitha konflikteve duke mos u ballafaquar në tavolinë, për ta filluar nga gjërat më të thjeshta dhe që zgjidhen më kollaj, dhe për të bërë ato gjëra që janë të rëndësishme për njerëzit në jetën e përditshme. Nuk mund të mbahen njerëzit pengje të lëvizjes nga 4 anët se duam të arrijmë paqen përfundimtare, pastaj të fillojmë të lëvizim, e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.
Rama risolli në vëmendje shembullin e Gjermanisë me Francën.
“Gjermania i kërkoi falje Francës kur erdhi Willy Brandt, por deri atëherë kishin ndodhur shumë gjera të tjera dhe nuk filloi nga falja, por nga komiteti i përbashkët që u ngrit si një proces bashkëpunimi këtë duhet të bëjmë edhe ne dhe këtë do të bëjmë“, deklaroi Rama. /j.p/























