Ballina Flash

Tropojë, kultivim kanabisi me llamba, procedohet elektricisti i zonës

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Policia e Tropojës zbuloi një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Policia shpalli në kërkim pronarin e banesës dhe ka proceduar në gjendje të lirë elektricistin e zonës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, Policia sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, fidanë narkotikë, llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në fshatin Valbonë, një shtetas kishte përshtatur banesën, për kultivimin e bimëve narkotike kanabis, në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Valbona”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e shtetasit Sh. S., ku u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente te mbyllura.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë nuk kanë gjetur njeri në banesë. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të banesës, shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Valbonë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Q. B., 59 vjeç, banues në Shoshan, me detyrë elektricist.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTrafikonin mjete të vjedhura në vendet e BE-së, procedohen 3 shtetas
Artikulli tjetërNdihmëssekretarja e Shtetit Donfried në Tiranë, takime me zyrtarë të lartë