TIRANË, 29 prill /ATSH – I. Vata/ Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” finalizoi operacionin policor të koduar “Lux 2022”.
Si rezultat i aksionit u proceduan penalisht 3 shtetas, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasit B. S., E. N. dhe E. K., të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Z. D., banues në Maqedoninë e Veriut.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këto automjete u janë nënshtruar ndërhyrjeve dhe modifikimeve në numrat e shasisë apo paketat elektronike dhe më pas janë tregtuar te persona të ndryshëm”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/r.e/























