TIRANË, 29 prill/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj deklaroi sot se shërbimet pa sportele do t’i japin goditje bakshisheve e radhëve, si dhe do të lehtësojnë qytetarët.
Përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, Karçanaj iu përgjigj pyetjeve më të shpeshta të publikut mbi procesin, ku foli edhe për institucionet që reduktojnë ndjeshëm sportelet fizike.
Karçanaj tha se vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, nga 390 sportele fizike, do të mbeten 150 sportele.
“Preken të gjitha institucionet. Kemi grupin e parë të institucioneve që u reduktohen ndjeshëm sportelet. Përmend këtu Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, nga 390 sportele fizike, kalon në 150 sportele. Në këto sportele do të merren vetëm ato shërbime që kanë nevojë për prezencën e personit. Preket Qendra Kombëtare e Biznesit, ku shërbimet do të ofrohen vetëm online dhe sportelistët që më parë punonin në sportelet fizike, do të punojnë për t’i kthyer përgjigje me vulë elektronike qytetarit.”, tha ajo.
Po ashtu, Karçanaj tha se vendimi prek edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, por dhe të gjitha institucionet e tjera, sepse edhe në rastin kur këto institucione nuk kanë pasur sportele fizike që reduktohen apo ishin te pjesa që aplikimi realizohej dhe përgjigja vinte me postë, tashmë do të kemi një përgjigje që vjen vetëm në mënyrë elektronike dhe me vulë digjitale.
Kjo, sipas saj, “është risia më e rëndësishme e këtij transformimi”.
/m.m/j.p/r.e/























