TIRANË, 31 mars /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi deklaroi sot se, çmimi i energjisë për familjet dhe bizneset e vogla vazhdon të mbetet i njëjtë.
Në fjalën e saj në Kuvend, Ekonomi u shpreh sot se, “situata e krizës ka mbërthyer të gjithë Evropën dhe gjithë botën dhe vjen si një rezultat kombinimi unikal krizash. Nga kriza energjetike tek kriza e zinxhirit të furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë, në radhë të parë dhe kjo ka ngadalësuar marrëdhëniet tregtare në të gjithë kontinentin, ku ekonomitë e vendeve prej kohësh kanë ndërveprim global të shtuar”.
Ekonomi tha se, “sikurse njofton INSTAT-i dhe e konfirmon edhe Banka e Shqipërisë, inflacioni në muajin shkurt ishte 3.9 % më i lartë se një vit më parë dhe grupi i shpenzimeve për ushqime u rrit me 6.9 %. Ndërsa grupi i shpenzimeve pë transport u rrit me 10.4 %”.
“Të dhënat e publikuara tregojnë që Shqipëria ia doli të ketë rritjen ekonomike në vitin e kaluar prej 8.5 %, të konfirmuara nga institucionet ndërkombëtare; dhe shkalla jonë e papunësisë sot tregon të jetë 11.4%; dhe numri i të punësuarve në këtë periudhë të shkojë sa ai i para tërmetit dhe këtë e tregojnë llogaritë e shtetit”, theksoi Ekonomi.
“Në Bankën e Shqipërisë projeksionet tregojnë se Shqipëria pret të ketë një inflacion prej 6 % në këtë vit. Gjithashtu në vendin tonë të gjitha parashikimet që bëhen duke parë bursën ndërkombëtare tregojnë se në 6-mujorin e parë nuk do të ketë ndonjë rënie të konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike, përkundrazi. Dhe ato që tregojnë bursat ndërkombëtare për çmimin e naftës dhe të gazit”.
“Çmimi i energjisë për familjet dhe bizneset e vogla vazhdon të mbetet i pa rritur, vazhdon të mbetet i njëjti. Qeveria shqiptare nuk e rriti çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël, përkundrazi, ajo subvencionon me 80 % të vlerës së faturës të gjithë këto biznese”, tha Ekonomi.
“Të gjitha bizneset e vogla që operojnë në Shqipëri e kanë prej kohëshTVSH-në zero dhe tatimfitimin zero. Ndërsa bizneset e mëdha që nga viti 2014, paguajnë tatimfitimin prej 15 %. Sepse parimi ynë udhëheqës është: Kush fiton më shumë, paguan më shumë”, theksoi Ekonomi.
/j.p/r.e/























