TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Numri i aksidenteve gjatë muajit janar të këtij viti shënoi rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, gjatë muajit janar të këtij viti numërohen 107 aksidente rrugore nga 125 aksidente të ndodhura në muajin janar 2021, duke u ulur me 14,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, edhe numri i të aksidentuarve shënoi rënie. Sipas INSTAT-it, numri i të plagosurve është 147 persona nga 165 që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në janar 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 16 persona, nga 22 persona të vdekur në janarin 2021.
Referuar INSTAT-it, aksidentet rrugore, në 81,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, ndërsa numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç. /j.p/
























