Ballina Flash

Meta dekreton emërimin e gjyqtares Arbena Ahmeti në Gjykatën e Lartë

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ Presidenti i Republikës, dekretoi sot emërimin e anëtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, gjyqtares Arbena Ahmeti.

Në një njoftim të Presidencës thuhet se, “Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në datën 10 shkurt 2022, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e Arbena Ahmetit si anëtarja më e re në Gjykatën së Lartë, e cila është përzgjedhur për t’u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit”.

“Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim që prej datës 26.2.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe sot përmes Dekretit nr. 13477, datë 16.02.2022, ka vendosur që: Arbena Ahmeti emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftim.

“Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 10 (dhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, përfundon njoftimi i Presidencës.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Zyra Federale e Statistikave raporton një rënie të pagave reale në vitin 2021
Artikulli tjetërBM – Inflacioni rritet në nivelin 5.5%