Ballina Bota

FOKUS – Bisedime Putin-Biden-Macron për krizën ruso-ukrainase

MOSKË/UASHINGTON/PARIS, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë sot një bisedë telefonike, pasi frika se Rusia mund të pushtojë Ukrainën po bëhet gjithmonë e më konkrete.

Dje, SHBA lëshoi një paralajmërim se një sulm i tillë mund të ndodhë brenda 10 ditëve të ardhshme, ndërsa qeveritë perëndimore u kërkuan qytetarëve të tyre të largoheshin nga Ukraina.

Duke folur me gazetarët pasi presidenti Biden zhvilloi një video-konferencë me liderë të shumtë botërorë, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se ka shqetësime të reja se sulmi i shumëpritur mund të fillojë përpara përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, më 20 shkurt.

Deri më tani, shumica e spekulimeve për ndonjë sulm të tillë ishin anuar drejt një pushtimi që fillonte pas Lojërave Olimpike, në mënyrë që të mos zemërohej Pekini.

Por, Sullivan paralajmëroi se nuk ka siguri se një sulm është urdhëruar.

“Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund kësaj do të ishte që Rusia të shpërshkallëzojë forcat e saj”, tha ai.

Respektivisht, Rusia dhe SHBA-ja pretenduan se kishte qenë pala tjetër që kishte kërkuar thirrjen telefonike.

”Në të vërtetë, pala amerikane kërkoi një bisedë me presidentin Putin dhe bisedimet e dy presidentëve janë planifikuar të zhvillohen nesër në mbrëmje”, tha dje zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

”Kërkesës i ka paraprirë një letër nga pala amerikane”, shtoi ai.

Peskov tha gjithashtu se Putin pritet të flasë sot edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Një zyrtar amerikan tha se Rusia propozoi një telefonatë për të hënën.

Shtëpia e Bardhë kundërpropozoi për ditën e shtunë për thirrjen dhe ata e pranuan, sipas zyrtarit.

Shqetësimet janë rritur prej muajsh tashmë që Rusia, që ka dislokuar forcat e saj në kufirin ukrainas, po mendon për një pushtim të saj.

Forcat e mbështetura nga Rusia tashmë kontrollojnë pjesë të Ukrainës Lindore./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFier, “Horizonti” vendos në pranga 3 të shpallur në kërkim
Artikulli tjetërPërkujtohet Papa Kristo Negovani, figurë e shquar patriotike