Ballina Aktualitet

Miratohet Plani Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (PKIE 2022 – 2024).

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se, “ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme për sa i përket planifikimit dhe monitorimit të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, por edhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Xhaçka theksoi se, “plani ka një objektiv të dyfishtë. Së pari, ai shërben si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo marrëveshje”.

Së dyti, shtoi Xhaçka, “ky plan, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian, si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë sa i takon rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian, kur presim që Bashkimi Evropian ta zgjidhë ngërçin që ka mbajtur peng Shqipërinë duke mos marrë hapjen e negociatave të premtuara gjatë vitit 2021.

Patjetër, shtoi Xhaçka, “që ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kemi marrë përsipër. Pikë së pari për evropianizimin e vendit, por edhe për të avancuar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

E pyetur në lidhje me një projektrezolutë që do hartojë Shqipëria sa i përket konfliktit ruso-ukrainas, duke pasur parasysh se ne jemi një vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit, ministrja Xhaçka tha se “nuk jemi ende në atë fazë. Nuk ka ende projektrezoluta të draftuara që pastaj të marrin miratimin apo përkrahjen e vendeve të tjera, qofshin në Këshillin e Sigurimit, qofshin më gjerë, ato në OKB. Por jemi në fazën ku kemi dakordësuar një bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA, ku do të jemi të dyja palët bashkëhartues, duke thelluar një marrëdhënie strategjike, por në këtë rast edhe duke i dhënë Shqipërisë gjithë prestigjin dhe vizibilitetin për atë që është: Një vend shumë konstruktiv, një partner i besueshëm, i cili do të luajë një rol shumë aktiv edhe në Këshillin e Sigurimit përgjatë 2 viteve të mandatit të saj”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVdes një i paraburgosur në burgun e Peqinit
Artikulli tjetërVeliaj: Sikur FSHF të investonte për sportin, do kishim 100 fusha për fëmijët