Ballina Bota

KOMENT – Scholz-Macron-Duda: Front të bashkuar në krizën ruso-ukrainase

BERLIN, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë deklaruan në Berlin se ”ishin të bashkuar në qëllimin për të parandaluar luftën në Evropë”, pasi një shtytje diplomatike për të zgjidhur krizën ukrainase u zhvendos në kryeqytetin gjerman.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidentët e Francës dhe Polonisë, Emmanuel Macron dhe Andrej Duda theksuan se “çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të ketë pasoja të mëdha dhe kosto serioze”.

Të tre liderët i bënë thirrje gjithashtu Kremlinit që të përfshihet në një “dialog kuptimplotë” mbi sigurinë evropiane.

Duda dhe Macron udhëtuan në Berlin për të zhvilluar bisedime në mbrëmje me Scholz mbi krizën, e cila ka parë Rusinë duke grumbulluar pajisje ushtarake dhe mbi 100 000 trupa pranë kufirit ukrainas në javët e fundit.

Në një prononcim përpara bisedimeve, Scholz, i freskët nga takimi i tij i djeshëm me presidentin amerikan Joe Biden, premtoi edhe një herë se do të kishte “pasoja për Rusinë nëse ajo pushton Ukrainën’’.

”Ndikimi në Rusi do të ishte politik, ekonomik dhe sigurisht gjeostrategjik”, theksoi kancelari.

Duda, vendi i të cilit kufizohet me Ukrainën dhe Bjellorusinë, theksoi se ”kontinenti po përballet me sfidën e tij më të vështirë që nga ngjarjet e vitit 1989”.

“Kemi një përqendrim të paprecedentë të trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas, kemi gjithashtu grupe të mëdha ushtarësh rusë në Bjellorusi, ku manovrat ushtarake janë duke u zhvilluar dhe duhet të zgjasin deri më 20 shkurt”,  theksuan njëzëri Duda, Scholz dhe Macron.

“Gjëja më e rëndësishme është uniteti dhe solidariteti. Ne duhet të tregojmë se flasim me një zë, se jemi një komunitet, se nuk mund të sprapsemi”, shtoi ai.

Scholz u tha gazetarëve përpara se të hynte në takimin me Macron dhe Duda se ”qëllimi ynë i përbashkët është të parandalojmë një luftë në Evropë”.

Macron mbërriti në Berlin pas një udhëtimi në Moskë të hënën, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin për më shumë se pesë orë, dhe të martën në mëngjes në Kiev, kur u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërsa ishte në Kiev, Macron tha se besonte se zbatimi i marrëveshjeve të Minskut është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe për të ruajtur integritetin territorial të Ukrainës.

Marrëveshja u negociua në kryeqytetin e Bjellorusisë në vitin 2015 dhe synon t’i japë fund konfliktit shtatëvjeçar në Ukrainën lindore midis trupave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Plani ka ngecur prej kohësh dhe palët shpesh nuk bien dakord as për kushtet e tij. Por, Macron tha se hyrja në fuqi e marrëveshjes mund të çojë në një stabilizim të situatës dhe të mundësojë fillimin e një shpërshkallëzimi të qëndrueshëm.

Gjatë vizitës së Scholz në Shtëpinë e Bardhë, Biden theksoi se Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm.

Dyshimet janë shfaqur për shkak të lidhjeve të forta ekonomike të Berlinit me Rusinë, veçanërisht projektit të gazsjellësit ”Nord Stream 2”, të cilin SHBA dhe vendet e Evropës Lindore e kanë kritikuar ashpër.

Qeveria e qendrës së majtë të Scholz është kritikuar gjithashtu për hezitimin e saj për të dërguar armë në Ukrainë.

Duke folur së bashku me Scholzin, Biden u zotua se do t’i jepte fund ”Nord Stream 2” nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën.

Mbetet e paqartë nëse Berlini ka bërë një angazhim të ngjashëm, megjithëse ministrja e Jashtme gjermane sugjeroi muajin e kaluar se projekti nënujor mund të mos bëhet operacional nëse Rusia pushton fqinjin e saj.

”Nord Stream 2” do të lidhë Evropën Perëndimore me rezervat e gazit rus nëpërmjet një lidhjeje në bregdetin baltik të Gjermanisë. Projekti ka përfunduar, por certifikimi rregullator është ende në pritje në Gjermani, që do të thotë se nuk rrjedh gaz.

Tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë janë përshkallëzuar për shkak të grumbullimit të dhjetëra mijëra trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Moska mund të planifikojë një pushtim të ngjashëm me aneksimin e saj në vitin 2014 të gadishullit të Krimesë.

Rusia ka mohuar të ketë qëllime të tilla dhe akuzon Perëndimin për frikësim.

Ajo thotë se lëvizja e trupave dhe mbajtja e stërvitjeve ushtarake në territorin e saj është brenda të drejtave të saj./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – OBSH: Nevojiten 16 miliardë dollarë për trajtimin e pandemisë nga vendet me të ardhura të ulëta
Artikulli tjetër​Dua Lipa merr çmimin për artisten më të mirë Pop/RnB