TIRANË, 7 shkurt/ ATSH/ “Regional Challenge Fund“ vendos në dispozicion 2.4 milionë euro nga fondet e Qeverisë Federale nëpërmjet KfW-së për të mbështetur gjashtë konsorciume për trajnimin profesional të të rinjve në Shqipëri, të cilët në një thirrje të parë ishin në gjendje të bindin jurinë me projektet e tyre.
Lajmin e bëri të ditur Ambasada gjermane në Tiranë e cila theksoi se Gjermania mbështet të rinjtë në Shqipëri në rrugën e tyre drejt një të ardhmeje të suksesshme profesionale në vendin e tyre.
Për këtë qëllim, jepet dhe mbështetja për 6 konsorciumet për trajnimin profesional të të rinjve.
Judith Hoffmann, përgjegjëse për Bashkëpunimin për Zhvillim në Ambasadën gjermane në Tiranë u shpreh se në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar me Shqipërinë, Qeveria Federale e Gjermanisë po i kushton vëmendje të veçantë fushës së formimit profesional dhe rritjes së qëndrueshme të vendeve të punës.
“Situata në vendet e Ballkanit Perëndimor është paradoksale: nga njëra anë, papunësia e të rinjve është e lartë. Nga ana tjetër, ka një kërkesë në rritje për punëtorë të kualifikuar. Një faktor kryesor për këtë mosbalancën ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës janë sistemet arsimore, të cilat nuk janë përshtatur ende mjaftueshëm me nevojat e një sektori privat në zhvillim”, u shpreh ajo.
Nga ana e saj, presidentja e Bashkimit Të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa shprehu mirënjohjen ndaj autoriteteve gjermane dhe KfW për mbështetjen e vazhdueshme.
/r.e/























