Ballina Flash

Celibashi: Dakord me partitë për votimin elektronik në Vorë

TIRANË, 31 janar /ATSH-I.Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se ka gjetur dakordësinë me partitë kryesore në vend për të aplikuar votimin elektronik në Vorë, në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Në një prononcim për mediet, Celibashi u shpreh se, “kemi patur dakordësinë nga partitë kryesore politike mbi përdorimin e sistemit të votimit elektronik në bashkinë e Vorës. I ngelet Kuvendit të Shqipërisë për të përcaktuar fondin dhe modalitetet”.

Celibashi i bëri këto deklarata gjatë nisjes së procesit të shkatërrimit të të dhënave personale në pajisjet elektronike të identifikimit (PEI) dhe sistemin elektronik të identifikimit të votuesve (SEIV) të përdorura në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Të pranishëm për të mbikëqyrur procesin ishin Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nënkomisionerja Lealba Pelinku, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, si edhe përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe medias.

Komisioneri Celibashi në fjalën e tij theksoi rëndësinë e procesit të shkatërrimit të të dhënave personale të qytetarëve. Celibashi garantoi se janë marrë masat që procesi të jetë i sigurtë dhe të mos ketë asnjë lloj problematike (keqpërdorim i të dhënave).

Komisioneri Dervishi tha se ky proces i rëndësishëm është akti final i një detyrimi ligjor, pasi procesi zgjedhor lidhet me përpunimin e informacionit zgjedhor, por kemi të bëjmë dhe me të dhëna personale të shtetasve që u imponuan nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Komisioneri Dervishi tha se që në fillim të procesit zgjedhor ka patur bashkëpunim të ngushtë me KQZ për të realizuar masat teknike dhe organizative të mbrojtjes së të dhënave personale të zgjedhësve.

Procesi i asgjësimit të të dhënave personale në pajisjes PEI dhe sistemin SEIV po realizohet në ambientet e magazinës së KQZ-së në Lundër dhe do të kryhet brenda harkut kohor të 10 ditëve, për t’i paraprirë përdorimit të tyre në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashki të vendit në datën 6 mars 2022.

Më herët, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, zhvilloi sot një takim me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi në kuadër të procesit për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

“Gjithmonë kënaqësi të takohem me kryetarin e KQZ, Ilirjan Celibashi, për t’u informuar mbi përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme lokale. Përgëzoj punën intensive për të siguruar një proces transparent në afate të shkurtra. Rikonfirmova mbështetjen e Bashkimit Europian për punën e KQZ-së”, u shpreh Soreca.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Angazhim për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë
Artikulli tjetërKonstituohet nënkomisioni për përzgjedhjen e kandidatëve në KLGJ e KLP nga pedagogët