TIRANË, 31 janar /ATSH/ Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës” u konstituua ditën e sotme.
Ky nënkomision u miratua me vendim të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në datën 28 janar 2022.
Në nisje të mbledhjes kryetarja e këtij nënkomisioni, Klotilda Bushka shpjegoi procedurën dhe hapat që ndërmerr nënkomisioni deri në paraqitjen e kandidaturave për shqyrtim seancës plenare, që sipas parashikimeve ligjore duhet të bëhet brenda 3 ditëve nga konstituimi i nënkomisionit.
Gjatë diskutimeve për shqyrtimin e kalendarit të punimeve, përfaqësuesit e pakicës parlamentare në këtë komision kërkuan që të zhvilloheshin seanca dëgjimore me të gjithë aplikantët, por në përfundim u vendos që nënkomisioni do të zhvillojë dëgjesa vetëm me kandidatët e kualifikuar, që plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Mbledhja e radhës së nënkomisionit do të zhvillohet më datë 2 shkurt 2022.
/a.a/r.e/























