Ballina Flash

LSI: Të infektuarit realë me COVID janë disa herë më shumë

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Sekretari për Çështjet e Shëndetësisë në LSI, Besnik Jakaj, deklaroi sot se, “vetëm periudha dhjetor-janar referuar statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë ka rreth 60 mijë raste të infektuar me Covid”.

Por shtoi ai, në një dalje për mediet, “në fakt të infektuarit realë janë disa herë më shumë”.

“Dhe po t’i referohemi trajtimit bazik të tyre në bazë të udhëzimit të qeverisë vetëm për rimbursimin e barnave do të kërkoheshin mbi 20 milionë dollarë”, tha Jakaj.

Ai nënvizoi se, “LSI ka paraqitur në Parlament një amendament për një shtesë në buxhetin e shëndetësisë prej rreth 20 milionë dollarë për të përballuar këtë fazë të re të pandemisë. Në mënyrë që t’ju vihet në ndihmë familjeve në nevojë që do përballen me infektimin. Qeveria e kundërshtoi në mënyrë të papërgjegjshme këtë nevojë tejet të domosdoshme dhe deputetët e rilindjes nuk e miratuan atë”.

Këto para, shtoi Jakaj, “qeveria nuk i dha  tek familjet e varfra. Të atyre që janë pa punë, të atyre që kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë. Të atyre që kanë humbur vendet e punës për shkak të keqqeverisjes”.

Ndërkohë, theksoi ai, “qeveria vetëm 2 muaj më parë mori 700 milionë euro borxh për të mbuluar aferat e saj korruptive. Ndërsa para për ilaçet e qytetarëve të varfër në pandemi nuk ka?”

“Dy muaj më parë qeveria mori 200 milionë euro borxh për të mbuluar korrupsionin e saj në OSHEE. Ndërsa para për rimbursimin barnave të qytetarëve të varfër në pandemi nuk ka? Vetëm dy ditë më parë qeveria mori edhe 50 milionë euro borxh të tjera gjoja për energjinë. Ndërsa para për rimbursimin e ilaçeve të qytetarëve në pandemi nuk ka?”, u shpreh Jakaj.

“Qeveria vazhdon paguan korrupsionin e inceneratorëve pronarët e të cilave janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Por para për shëndetin e jetën e qytetarëve tanë nuk ka? Qeveria ka para për të financuar tenderët sekret në shëndetësi me 10 fishin e çmimeve ndërkombëtare. Por para për shëndetin e qytetarëve të varfër nuk ka?”, tha Jakaj.

“Ne jemi përballur si asnjë vend tjetër me këtë pandemi të tmerrshme pa asnjë ndihmë nga qeveria jonë. Por jemi detyruar ta zgjidhim vetë hallin që na ka rënë me mënyrën tonë me parat tona e në shumë raste duke paguar me shëndetin e jetën e njerëzve tanë:, theksoi Jakaj.

“I bëjmë thirrje drejtësisë të zbardhë në mënyrë urgjente aferat korruptive të qeverisë në këtë kohë pandemie dhe të verë para përgjegjësisë personat përgjegjës.Qeveria të thjeshtojë në maksimum procedurat për rimbursimin e barnave për të infektuarit, që po trajtohen në  banesë si dhe të marrë masa për ofrimin e asistencës infermierore për rastet kur kanë nevojë për bërjen e injeksioneve dhe të terapive në kushtet e shtëpisë. Këto masa duhen zbatuar menjëherë. Shqiptarët nuk mund të paguajnë më me jetën dhe shëndetin e tyre korrupsionin e qeverisë”, përfundoi Jakaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArrestohet një 44 vjeçar për armëmbajtje pa leje
Artikulli tjetërKOMENT – Pavarësisht dy votimeve në një ditë, Italia ende pa president