TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla zhvilloi sot bashkëbisedimin e përmuajshëm me gazetarët.
Sa i përket procesit të ndryshimeve kushtetuese të zgjatjes së mandatit të organeve të Vetingut, Nikolla tha se beson që edhe përfaqësuesit e opozitës do të ngrihen në lartësinë e përgjegjësisë që kanë.
E pyetur sesi do të sillet Kuvendi me opozitën, votat e së cilës duhen për të miratuar ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, Nikolla tha se, do të bëjë sa mundet për të bërë të mundur të gjithë dialogun e nevojshëm midis grupeve parlamentare, për të çuar përpara një proces për të cilin është e bindur, edhe në cilësinë e drejtueses të Këshillit të Legjislacionit, nga argumentet që kanë ardhur nga të gjitha palët e përfshira në procesin e Vetingut, qofshin edhe nga institucione të tilla si KLP dhe KLGJ, të cilët deklarojnë që e kanë të pamundur që ata të marrin në këtë moment që ndodhen, teksa po ndërtohen si institucione të marrin përsipër procesin e Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Por edhe nga gjithë dëgjesat që kemi bërë me institucionet ndërkombëtare, ata mbështesin këtë ndryshim kushtetues të këtij neni për të avancuar dhe për të progresuar në kohë, në mënyrë që t’u lihet koha e nevojshëm organeve aktuale të Vetingut për të kryer procesin e vetingut”, tha Nikolla.
“Besoj që edhe përfaqësuesit e opozitës do të ngrihen në lartësinë e përgjegjësisë që kanë për të zhvilluar patjetër edhe ata debatin e tyre politik, por për të parë se në këtë proces, në këtë moment ku ka hyrë Reforma në Drejtësi, nuk ka kthim pas, por nuk ka as kthim të standardeve, edhe të matjes së punës apo vetingut të prokurorëve me dy standarde. Të parët me një proces të caktuar, ai i deritanishëm dhe tjetri nuk mund të ketë proces tjetër, duhet të ketë një kut, një masë. Besoj që do të gjehet gjuha e nevojshme për të kaluar me votat në parlament’, tha Nikolla.
E pyetur në lidhje me ligjin e bashkëqeverisjes, nëse është momenti për ta diskutuar pas kthimit nga Presidenti, Nikolla tha se, “ligji i bashkëqeverisjes ka pasur një debat shterues dhe nga ajo formë që ka ardhur nga qeveria janë bërë shumë përmirësime edhe në komisionet përkatëse. Dhe them me bindje të plotë që ligji i bashkëqeverisjes është kthyer në atë instrument të rëndësishëm për të mundësuar realisht atë që ka në titull, bashkëqeverisjen dhe për të mundësuar që Agjencia përkatëse për Dialog dhe Bashkëqeverisje të ketë të mundur një kuadër të ri normativ dhe organizimi për të zgjidhur më shpejt, në kohë problematikat, për të marrë më shpejt dhe në kohë shqetësimet dhe përgjigjet e qytetarëve. por edhe për të vijuar me procesin që lidhet me nismat që vijnë nga qytetarët apo kërkesat për interpelancë”.
“Patjetër që edhe ky moment i kthimit të ligjit nga Presidenti do të shqyrtohet me seriozitet për të parë të gjithë argumentet e sjella dhe për të sjellë kundër argumentet e duhura nëse ka nevojë për kundër argumente dhe për të parë sesi do të reagojnë deputetët e Kuvendit në seancën plenare me rrëzimin e dekretit apo me miratimin e tij”, tha Nikolla.
/j.p/r.e/























