Ballina Ekonomi

Balluku: Kombinati në hapat e parë të fillimit të një epoke të re investimesh

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila është njëkohësisht edhe deputete e zonës tha se Kombinati është në hapat e parë të fillimit të një epoke të re pasi parashikohet të kryhen një sërë investimesh.

Balluku ishte e pranishme në Kombinat, Tiranë, në përurimin e shkollës dhe kopshtit “Lasgush Poradeci”, e cila do tu shërbejë 1200 nxënësve dhe 120 fëmijëve me kushte dhe ambjente më të mira mësimdhënieje.

“Ne kemi një plan të madh ambicioz e të jashtëzakonshëm. Kemi nisur nga puna për ndërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky projekt është jo thjeshtë për të ndërtuar banesat e dëmtuara, por po ndërtojmë njësi të reja mbi të cilat do të ngrihet një mënyrë e re jetese, duke patur të gjitha shërbimet për banorët. Kombinati është në hapat e parë të fillimit të një epoke të re”, deklaroi Balluku.

Duke u ndalur te investimet e qeverisë, ministrja theksoi se në Kombinat sot gjendet nënstacioni më modern për shpërndarjen e energjisë.

“Falë këtij investimi humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Kombinat janë vetëm 4 %, standard ky i vendosur nga BE dhe të cilin ne parashikojmë ta arrijmë për të gjithë vendin vetëm në vitin 2030”, deklaroi Balluku.

Shkolla e re “Lasgush Poradeci” u rindërtua me ndihmën e Fondit të Zhvillimit të Katarit.

Ky institucion i ri arsimor plotëson të gjithë nevojat e nxënësve të Kombinatit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPAK: Hoteli i konfiskuar i një grupi kriminal i kalon shtetit
Artikulli tjetërMeta: Hetim të plotë për trafikun e drogës