Ballina Flash

Meta: Hetim të plotë për trafikun e drogës

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta reagoi sot pas kapjes pranë Izmirit në Turqi, të një sasie rekord droge të nisur në rrugë detare nga Shqipëria.

“1,5 ton drogë përbën një nga sasitë më të mëdhaja të trafikuar nga Shqipëria në Turqi në rrugë detare, çka tregon se prodhimi i hashashit, në këtë rast i llojit më të fundit skunk, dhe trafikimi i tij nga grupet e krimit të organizuar, vijon me ritme të larta në vend”, tha Meta.

Presidenti i bëri thirrje Qeverisë, institucioneve ligjzbatuese dhe të sigurisë në vend, që të tregojnë vullnetin e duhur politik, si dhe të forcojnë kapacitetet profesionale dhe bashkëveprimin në terren, për të parandaluar raste të tilla, që përbëjnë rekorde të zeza për vendin.

Gjithashtu, Meta apeloi për hetimin e plotë dhe të thellë të këtij trafiku kriminal dhe sjelljen përpara drejtësisë të të gjithë atyre që qëndrojnë pas tij.

Ai i bëri thirrje Kuvendit të rrisë rolin e tij në mbikëqyrjen e luftës kundër trafikut të drogave dhe krimit të organizuar./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Kombinati në hapat e parë të fillimit të një epoke të re investimesh
Artikulli tjetërRama: Pediatria e re e Tiranës, investim që çon në një nivel të ri standardin e shërbimit