Ballina Ekonomi

Moti i keq, tragetet drejt Barit me disa orë vonesë

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Për shkak të motit të paqëndrueshëm, në portin e Durrësit sot ka prezencë të reshjeve të shiut, shoqëruar me erë të fortë nga kuadrati i jugut.

Era gjatë 24 orëve të fundit ka arritur në 22 m/s, ndërsa sasia e deritanishme e reshjeve ka arritur në 28 mm, shoqëruar me temperatura në minimumin e tyre 7 gradë Celsius dhe maksimum prej rreth 14 gradë.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se, era do të vijojë të jetë prezente në pjesën e parë të ditës, me shpejtësi deri 15 m/s. Në pjesën e dytë pritet rënie e intensitetit të saj. Valëzimi në det arrin deri në 6-7.

“Kushtet e motit kanë ndikuar në nisjen e trageteve drejt Barit me disa orë me vonesë, përkatësisht “Af Francesca” nisur në orën 02:35 dhe “Rigel VII” nisur drejt Barit në orën 02:50. Ndërsa nuk janë krijuar vonesa në mbërritjen e trageteve në portin e Durrësit, të dy tragetet e linjës Bari-Durrës janë akostuar në oraret e parashikuara. Procesi i përpunimit të mallrave vijon pa problem”, informoi APD.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Bullgaria paralajmëron qasje të re ndaj MV, por pa afate
Artikulli tjetërMbështetje nga AZHBR, fermerët rrisin të mbjellat në serrat e reja