Rutte pro nismës “Ballkani i Hapur”: Në favor të integrimit rajonal për aq kohë sa është i hapur për këdo

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi sot se është në favor të nismës së “Ballkanit të Hapur”.

I pyetur për nismën “Ballkani i Hapur” në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama pas takimit në Kryeministri, Rutte, u shpreh se, “sa i përket nismës së ‘Ballkanit të Hapur’ ne jemi në favor të integrimit rajonal, për aq kohë sa është i hapur për këdo”.

“Dhe, – shtoi ai, – unë e kuptoj që është shumë i hapur edhe për Malin e Zi, për Kosovën, për Bosnjë-Hercegovinën, në mënyrë që ata të bëhen pjesë gjithashtu”.

Rutte theksoi se, “kjo ndihmon po kështu, që të punohet drejt hapave të mëtejshëm në bisedimet e anëtarësimit, duke përdorur standardet e BE-së sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të bëhet një lloj hapësire për atë çka ndodh më tej”.

“Unë jam vërtetë i shqetësuar për Bosnjë-Hercegovinën, pasi duket sikur serbët e Bosnjës në këtë moment po dhunojnë hapur, po shkelin hapur marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnjës. Po punojmë shumë në nivelet e BE-së për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar sistemin politik të ndahet në atë vend përgjatë vijave etnike”, tha ai.

“Kjo thekson rëndësinë e dialogut po kështu edhe të udhëheqjes së politikanëve të lartë në Ballkanin Perëndimor, me Edi Ramën që është një shembull vërtetë i mirë, i cili është i respektuar në të gjithë rajonin dhe është mjaft aktiv për të bërë atë çka mundet për t’u siguruar që rajoni të mbetet sa më i stabilizuar që të jetë e mundur”, u shpreh kryeministri holandez.

“Shqetësimi ynë është se ajo çfarë vjen si anë negative e kësaj është një influencë në rritje e Turqisë, e Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e BE-së të jetë e pranishme këtu dhe jo perspektiva e lidhjes më të ngushtë me Rusinë, Kinën apo Turqinë”, tha Rutte.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.