TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado deklaroi sot se bonusi i fundvitit për pensionistët në të gjithë vendin, duke nisur nga viti 2022 është një zë buxhetor i sigurt.
Hado paraqiti në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2022 për ISSH-në.
“Instituti i Sigurimeve Shoqërore vijon të ketë konsolidim të kënaqshëm fiskal dhe një performancë pozitive, falë kjo edhe miradministrimit. Për vitin 2022 buxheti total i ISSH parashikohet në rreth 155 miliardë lekë, nga të cilat skema e sigurimeve shoqërore parashikohet në masën 148.9 miliardë lekë ose 8.6 % të PBB. 2.6 miliardë lekë janë parashikuar për indeksimin e pensioneve dhe 3.5 miliardë lekë janë parashikuar për bonusin e fundvitit, i cili tashmë është një zë buxhetor i sigurt për këtë kategori të nderuar përfituesish”, tha Hado.
Nga ky bonus që qeveria shqiptare ka vendosur për pensionistët shqiptarë përfitojnë të gjithë kategoritë e pensioneve dhe bëhet fjalë për rreth 670 mijë qytetarë. Të gjithë ata që përfitojnë pension pleqërie, pension familjar, pension invaliditeti, trajtime të veçanta, minatorë që kanë dalë në pension, naftëtarë, metalurgë, ish-ushtarakët etj., të gjithë këto kategori do të trajtohen me 5 mijë lekë të reja për festat e fundvitit.
Vitet e fundit qeveria akordonte shumën për bonusin përmes Akteve Normative për rishikimin e Buxhetit.

/a.a/r.e/






















