Ballina Flash

Tirana triumfon ndaj Dinamos, Partizani arrin fitoren e parë

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Kampionati shqiptar i futbollit ka luajtur këtë fundjavë ndeshjet e javës së 8-të.

Tirana konfirmohet si pretendentja kryesore për titullin kampion, pasi triumfon 4-0 në derbin ndaj Dinamos dhe thellon distancën nga ndjekësit në renditjen e kampionatit.

Në një atmosferë mjaft të zjarrtë në “Air Albania”, bardheblutë bënë ndeshjen e tyre karakteristike, duke u mbrojtur me kujdes dhe kundërsulmuar shpejt, teksa pikërisht nga një rast i tillë, gjetën avantazhin në minutën e 45-të me një autogol të Sidibe.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtin ritëm, me të besuarit e Shehit, që kapën në dy kundërsulme mbrojtjen dinamovite dhe shënuan dy herë të tjera me Xhixhën, në minutën e 56-të dhe 61-të. Fitorja 4-0 u vulos nga Hoti në minutën e 82-të.

Kjo fitore e ngjit Tiranën në kuotën e 20 pikëve, 6 më tepër se Kukësi i vendit të dytë.

Në javën e 8-të Partizani arriti fitoren e parë në kampionat. Të kuqtë e drejtuar nga tekniku Ilir Daja fituan me rezultatin e pastër 0-2 në transfertën e Kamzës ndaj Kastriotit, falë golave të Emiliano Mustës dhe Arinaldo Rrapajt.

Ulja e Mirel Josës në stol ka ndryshuar për mirë Laçin. Bardhezinjtë fituan 2-0 ndaj Teutës falë golit të Mentor Mazrekajt në minutën e 42’ dhe golit të Guindo në minutën e dytë shtesë të sfidës. Kjo është fitorja e tretë radhazi në Abissnet Superiore për ekipin kurbinas, që janë ngjitur në vendin e katërt.

Skënderbeu gjen fitoren e parë sezonale dhe e bën atë në ndeshjen që pritej më pak, atë përballë Kukësit në sfidën e parë të javës së 8-të të Abissnet Superiores, ku ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1.

Pas një pjese të parë me pak emocione, ishte fraksioni i dytë i lojës ai që rezervoi emocione të shumta.

Në minutën e 54-t ishte Dumfour që kaloi në avantazh korçarët, ndërsa Mensah dyfishoi rezultatin në minutën e 84-t. Për Kukësin goli i vetëm u shënua me 11-metërsh nga Hila në minutën e 99-të.

Java e 8-të mbyllet sot me sfidën mes Egnatias dhe Vllaznisë në në Rrogozhinë, ku pritet një ndeshje e fortë, pasi të dyja skuadrat kanë nëntë pikë në klasifikim.

Renditja e Abissnet Superiore

Skuadra                 Pikët

1     Tirana             20

2     Kukësi             14

3     Teuta               12

4     Laçi                 11

5     Vllaznia             9

6     Egnatia             9

7     Dinamo             9

8     Partizani            8

9     Skënderbeu       6

10   Kastrioti             5

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak2.7 miliardë lekë për vaksinat anti-COVID
Artikulli tjetërCOVID-19 – Falë vaksinimit, Japonia nuk shënon vdekje për herë të parë pas 15 muajsh