TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat deklaroi sot se me Buxhetin e 2022 do të sigurohet vaksinimi i popullatës ndaj COVID-19.
“Do të financojmë zbatimin e Programit Kombëtar të Vaksinimit anti-COVID, me vlerën 2.7 miliardë lekë të dedikuar për vaksinat anti-COVID dhe sigurisht duke ju përgjigjur edhe dinamikave të situatës. Do të mbështesim planin e përgjigjes ndaj pandemisë duke siguruar mbështetjen e nevojshme në lidhje me strategjinë e testimit, gjurmimit, kujdesit shëndetësor në sistemin parësor dhe spitalor, duke siguruar barnat mjekësore në të gjithë strukturat”, nënvizoi Manastirliu.
Duke folur për programet parandaluese, Manastirliu tha se buxheti 2022 mbështet programin e Shëndetit Publik në vlerën 6 miliardë e 360 milionë lekë, ose rreth 9 % e buxhetit të Shëndetësisë.
/a.a/r.e/













