Ballina Ekonomi

Legalizohet pallati i ndërtuar në 2007-ën në “Don Bosko”


TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame u dorëzoi sot certifikatat e pronësisë banorëve të një pallati në zonën e quajtur “Don Bosko” në Tiranë.

Legalizimi i këtij pallati u bë i mundur pasi administratori i vendosur nga banorët e pallatit u interesua pranë zyrave të ASHK-së, pas braktisjes së pallatit nga investitori.

“Ky i fundit, i la qytetarët që kishin blerë njësi banimi dhe biznesi pas shkeljes së lejes së ndërtimit dhe mos pajisjes me leje përdorimi nga Bashkia Tiranë. Banorët të vënë në këto kushte iu drejtuan procesit të legalizimit. Edhe pse banorët e kanë bërë më herët kërkesën, në vitin 2017 dosja u mbajt e pezulluar, derisa doli ligji 20/20. Ky ligj zhbllokoi rrugën për legalizim, pasi disa posedues të njësive ishin në proces gjyqësor. Me zbatimin e këtij ligji, banorët të cilët nuk kishin një proces gjyqësor vazhduan me procesin e legalizimit, ku sot u pajisën me vendim, ndërsa ata që janë në proces gjyqësor do t’iu emetohet leja pas vendimit të marrë nga gjykata”, shpjegoi Kadastra.

Kreu i Kadastrës, Lame u kujtoi banorëve se para disa vitesh ndodhej pikërisht në zonën e “Don Boskos” për të dorëzuar lejet e legalizimit. “Kemi qenë në këtë zonë me kryeministrin, jo më larg se 50 m që këtu. Legalizimin e pallateve e kemi filluar fiks në këtë zonën këtu para disa vjetësh, me ato që quheshin ‘Pallatet e Arabit’. Ka qenë ndërhyrja e kryeministrit, sepse kishin mbetur për gati 15 vjet pa u pajisur me certifikatë pronësie. U detyruam të bënim një VKM të posaçme vetëm për ato pallate dhe në atë eksperiencë të parë vumë re dyndjen e njerëzve që donin të legalizonin pallatet. Pasi u hymë procedurave për të bërë legalizimin e pallateve sipas tipologjisë, derisa arritëm tek ligji 20/20”, tha Lame.

Lame ka përsëritur thirrjen që të gjithë banorët duhet të bëhen bashkë për të finalizuar procesin e legalizimit të pallatit.

Pallati në fjalë është ndërtuar në vitin 2007 dhe ka rreth 80 njësi banimi dhe shërbimi. Gjithashtu procedurat e legalizimit janë mbyllur edhe për ato familje të cilët janë emigrantë dhe nuk kanë mundur të paraqiten, por që me prokurë ia kanë lënë të drejtën administratorit për të kryer procedurat e marrjes së certifikatës.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Autoriteti i Konkurrencës: Nuk kemi mandat që të rregullojmë çmimet
Artikulli tjetërQytetarët rrisin kursimet në euro