TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, grupi parlamentar i PS ka marrë vendimin për të depozituar në Kuvend, nismën e një grupi prej më shumë se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit për të zgjatur mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë.
“Dje grupi parlamentar i PS ka marrë vendimin për të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nismën e një grupi prej më shumë se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë për të filluar një procedurë të ndryshimit të Kushtetutës me qëllim që t’i hapim rrugë zgjatjes së mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë, si niveli i parë i procesit te Vetingut, duke e shtyre procesin e Vetingut pra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri më 31.12.2024, duke shtuar edhe 30 muaj të tjera, të cilat unë besoj se janë të mjaftueshme për ta përmbyllur procesin e Vetingut”, tha Balla në një prononcim për mediet në Fier.
“Ashtu sikurse tha edhe Kryeministri Rama, sot pas mbledhjes së Kryesisë së PS, kjo është një vijueshmëri e Reformës në Drejtësi, është një çështje sa teknike aq edhe shumë e rëndësishme, sepse është ruajtje e të njëjtit standard në procesin e Vetingut për të vazhduar pastrimin e sistemit të drejtësisë nga ata gjyqtarë apo prokurorë, të cilët nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre dhe nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale ose për pastërtinë e figurës së tyre dhe i zbulimit të çdo lloj lidhjeje kriminale apo lidhje të tjera”, theksoi Balla.
“Vijimi i procesit të Vetingut me të njëjtin standard që është vijuar deri më tani është një domosdoshmëri tek e cila partitë politike duhet të qëndrojnë larg, sepse themeli i reformës në drejtësi ka qenë pikërisht heqja e çdo lloj ndikimi qe vinte nga partitë politike. Procesi i përzgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kalon më përmes vendimmarrjeve politike, por është një skemë e re e cila ka filluar të japë rezultate konkrete”, nënvizoi Balla.
I pyetur për vendimin e Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 2019-ës, Balla tha se, “Komisioni i Venecias është sot në seancë plenare. Siç e kemi bërë zakon ne asnjëherë nuk jemi shprehur përpara se dokumenti të jetë zyrtarë. Sapo ky dokument të jetë zyrtarë, natyrshëm që PS dhe grupi parlamentar i PS do të ketë një një pozicion. Ajo që dua të theksoj është që Komisioni i Venecias është shprehur njëherë për çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019”.
“Ato ishin zgjedhje tërësisht të bazuara në Kushtetutë dhe bojkotimi i zgjedhjeve apo cdo lloj bojkoti bie ndesh me traditën demokratike, e cila promovohet përmes zgjedhjeve”, tha Balla.
“Në këtë këndvështrim unë mendoj që të gjitha forcat politike që kanë marë vendime për të bojkotuar Kuvendin apo për të bojkotuar zgjedhjet qasja dhe opinioni i dhënë nga Komisioni i Venecias është ai i duhuri për të vendosur mend kushdo që merr vendime për të mos marrë pjesë në zgjedhje”, u shpreh Balla.
/r.e/























