Incidenti në ndeshjen Shqipëri-Poloni, Duka: Ngjarje e turpshme, njollos futbollin

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, e cilësoi sot si një ngjarje me të vërtetë të turpshme, që njollos futbollin, hedhjen e sendeve të forta në fushë gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë në stadiumin “Air Albania”, të martën.

Gjatë fjalës së tij në Durrës, në aktivitetin për nisjen e programit “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës, Duka theksoi se, “pas pak ditëve ne do të kemi një tjetër aktivitet për sigurinë e stadiumeve. Një aktivitet i planifikuar më parë, por që në fakt me ngjarjet e fundit në stadium bëhet edhe më emergjente, për mënyrën se si ne duhet të organizohemi më mirë, se si të gjithë faktorët dhe aktorët duhet të bëjnë më mirë organizimin e një ndeshje”.

“Ekspertë të fushës nga UEFA do të jenë në Tiranë bashkë me ekspertët tanë në ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe sidomos në ndeshjet derbi ku do të ketë më shumë prani tifozësh për të minimizuar apo eliminuar ngjarje si ajo e mbrëmshmja”, u shpreh Duka.

“Ngjarje me të vërtetë e turpshme, që nuk na nderon, njollos futbollin, por që të gjithë ne duhet të ndjejmë përgjegjësi, të nxjerrim mësime dhe të përmirësohemi për të ardhmen dhe jo të drejtojmë gishtin nga njëri-tjetri, pasi të gjithë ne jemi fajtorë, që nga ne si organizatorë, ata që duhet të na ndihmojnë apo tifozët në shkallët e stadiumit. Është vërtetë mëkat kur 22.000 tifozë në stadium krijuan një atmosferë shumë të mirë, por nga disa individë të njollosemi apo të penalizohemi”, tha Duka, duke folur për incidentet gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni.

Federata Shqiptare e Futbollit ka mirëpritur ditët e fundit në Shqipëri programin “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës. Bëhet fjalë për një program të domosdoshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.

Ky certifikim në menaxhim futbolli ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme. Në këtë edicion kishte pjesëmarrës nga disa vende të botës si nga Gjermania, Hungaria, Bullgaria, Kroacia, Bullgaria, Azerbajxhani, Kosova si edhe nga FSHF apo klube të ndryshme shqiptare. Udhëheqës të programit ishin përfaqësues të UEFA Academy, Universitetit të Lozanës dhe FSHF-së.

CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit evropian. Pjesëmarrësit marrin leksione nga pedagogë nga universitete të rëndësishme evropiane si edhe menaxherë të mëdhenj të botës së futbollit e drejtues të UEFA-s.

Eksperiencat pozitive të bashkëpunimit të vazhdueshëm me FSHF-në në të gjitha nivelet ka bërë që UEFA t’ia besojë organizimin e këtij trajnimi kaq të rëndësishëm qeverisë shqiptare të futbollit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.