TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.
Spiropali shprehu “mirënjohje dhe vlerësim maksimal për mbështetjen që Gjermania në drejtimin e kancelares Merkel ka dhënë në mënyrë të pakushtëzuar për Shqipërinë në sfidën e madhe të integrimit”.
“Në këtë mandat të ri për të dyja qeveritë tona, bashkëpunimi i ngushtë dhe raportet e shkëlqyera midis dy vendeve do të vazhdojnë të jenë në sintoni për reforma të mëtejshme në të mirë të perspektivës tonë europiane, duke ruajtur dhe intensifikuar dialogun dhe takimet mes qeverive dhe parlamenteve”, theksoi Spiropali.
Ministrja Spiropali zhvilloi takim edhe me ambasadorin e Italisë, Fabrizio Bucci.
“E njohur dhe e ditur historia e dy popujve tanë. Një marrëdhënie e pacenuar ndër vite, të gjendur gjithnjë pranë njeri-tjetrit në çdo moment arritjeje e vështirësie”, u shpreh Spiropali në një reagim pas takimit.
“Bisedova me ambasadorin Bucci për impaktin e madh që ka ky raport i fortë si dhe për bashkëpunimin në avancë me Italinë, për më shumë shkëmbime mes qeverive dhe parlamenteve tona, për çdo sektor të rëndësishëm me impakt ekonomik, social dhe kulturor”, tha Spiropali.
/j.p/r.e/























