TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi sot administratorin e ri të Postës Shqiptare, Ervin Bushati.
Në fjalën e tij Bushati u shpreh se, do të vijojë punën me përkushtim për të mbajtur Postën Shqiptare në elitën e shërbimit, duke vlerësuar fort punën e paraardhësit të tij.
“Posta ka lindur me shtetin si shërbim ndaj publikut dhe sot është një vlerë e shtuar për mua të marr këtë detyrë të rëndësishme. Shqipëria 2030 është një qënie që ne të gjithë bashkë po e ndërtojmë, duke ditur rolin e rëndësishëm që kanë këto institucione për qytetarët”.
“Të gjithë e pamë shërbimin e rëndësishëm që kryente Posta gjatë periudhës së vështirë të COVID-19, i cili vijon të ketë ndikim. Të gjithë bashkë funksionojmë më mirë kur kemi një vizion të qartë se ku do të shkojë shoqëria”, tha Bushati.
“Jemi një rrjet fibrash tregtare, ekonomike, logjistike dhe digjitale, ndaj në këtë qasje që ka Posta Shqiptare së bashku do përpiqemi të bëjmë më të mirën drejt arritjes së vizionit dhe përmbushjes së misionit tonë publik. Shërbimi ndaj publikut është misioni ynë. Ne, Posta Shqiptare jemi dhe do të vazhdojmë të jemi adresa më e shpejtë e sigurisë të shërbimeve”, përfundoi administratori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati.
/r.e/j.p/























