Ballina Flash

Miratohet 5 milionë lekë ndihmë financiare për familjen e nënkomisar Saimir Hoxhës

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot dhënien e ndihmës financiare familjes së nënkomisarit Saimir Hoxha, ish-punonjës policie i vrarë në krye të detyrës gjatë një operacioni antikanabis në Ishull Lezhë.

Në mbështetje të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e ndihmës financiare, prej 5 milionë lekësh, familjes së nënkomisarit Saimir Bilal Hoxha, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, i vrarë në krye të detyrës.

Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, më herët, ndërsa njoftoi shpalljen e nënkomisar Hoxhës “Dëshmor i Atdheut”, theksoi se “sigurisht që familjarëve dhe veçanërisht dy fëmijëve do t’i mungojë babai i tyre, por në asnjë moment në jetën e tyre nuk do t’u mungojë përkujdesja e shtetit dhe shoqërisë, për të cilën Saimir Hoxha dha jetën”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrezantohet administratori i ri i Postës Shqiptare, Ervin Bushati
Artikulli tjetërOBSH synon eliminimin e meningjitit deri në 2030