Ballina Aktualitet

Leskaj për zjarret në Vlorë: Ndërhyrje sa më të shpejtë e efikase

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike në Vlorë, Bujar Leskaj reagoi sot në lidhje me situatën e zjarreve në qarkun e Vlorës.

Leskaj shprehet në një postim në rrjetet sociale se po ndjek me shqetësim situatën prej disa ditësh dhe kërkon ndërhyrje sa më të shpejtë e efikase që të normalizohet situata.

“Si deputet i Vlorës po ndjek me shumë shqetësim prej ditësh situatën alarmante të zjarreve në qarkun e Vlorës, në Karaburun, Tragjas e Dukat ku janë djegur qindar hektarë, duke sjellë një dëm të madhe ekologjik, por edhe në pasuritë natyrore të zonës”, shkruan Leskaj.

“Përpara disa ditës u prononcova, duke kërkuar reagimin e pushtetit qendror e vendor për marrjen e masave për shuarjen e zjarreve. Por qeveria, ministria e mbrojtjes, pushteti vendor dhe Emergjenca Civile kanë qenë pasive, duke i lënë të vetëm zjarrfikësit që të luftojnë për përballimin e situatës me mjete rrethanore. Dhe kjo është e patolerueshme!”, thekson Leskaj.

Ndaj, shton Leskaj, “u bëj thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve të pushtetit qendror e vendor, institucioneve të shtetit shqiptar, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes,  Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile për një ndërhyrje sa më të shpejtë e efikase, për një ndërhyrje të koordinuar, në mënyrë që situata të normalizohet dhe të shpëtojë pasuria jonë kombëtare”.

“Çdo vonesë në marrjen e masave është shpërdorim i detyrës dhe vepër penale! Çdo vonesë është një taksë e rëndë që i paguajmë të ardhmes së fëmijëve tanë, atdheut tonë!”, përfundon Leskaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZjarri në Karaburun, Peleshi: Trupa të tjerë të FA-së ndërhyjnë në Qafën e Sherikut
Artikulli tjetërNdezi zjarr duke shkaktuar djegien e 120 ullinjve, procedohet një shtetas në Fier