FOKUS – A do të ketë ”Nord Stream 2” fatin e një dinozauri?

BERLIN, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Gazsjellësi i diskutueshëm nënujor ”Nord Stream 2” së shpejti mund të konsiderohet i vjetëruar, paralajmëroi një zyrtar i lartë gjerman i mjedisit.

“Nord Stream 2′ mund të shndërrohet shumë shpejt në një dinozaur në mesin e projekteve të energjisë, sepse ne duam të arrijmë zero emetime deri në vitin 2045”, deklaroi presidenti i Agjencisë Gjermane të Mjedisit (UBA), Dirk Messner, për grupin mediatik RND,  në komentet e publikuara sot.

Ky gazsjellës, që është drejt përfundimit, do të dërgojë gaz natyror nga Rusia drejtpërdrejt në Gjermani.

Projekti prej 11 miliardë dollarësh ka qenë prej kohësh një burim tensionesh mes SHBA-së dhe Gjermanisë, me Uashingtonin që argumenton se paraqet rrezik sigurie pasi rrit varësinë e Evropës nga Rusia.

Përpara zgjedhjeve të muajit të ardhshëm në Gjermani, Messner tha se qeveria e ardhshme gjermane duhet të ndjekë synimet ambicioze të mbrojtjes së klimës.

“Në të gjithë sektorët në të cilët lindin emetimet, ne duhet të përshpejtojmë zbatimin e qëllimeve ambicioze. Kjo vlen mbi të gjitha për sistemin energjetik, sistemin e transportit, qytetet tona, industrinë tonë, bujqësinë tonë, konsumin tonë”, theksoi ai.

Messner gjithashtu bëri thirrje për rritjen e përdorimit të energjisë si dhe përdorimin më të madh të energjisë diellore fotovoltaike.

“Në sektorin e transportit, ne duhet të elektrifikojmë dhe të zvogëlojmë numrin e automobilave. Fusha e tretë është rinovimi i ndërtesave miqësore me klimën. Edhe këtu, ne jemi akoma shumë të ngadalshëm”, tha ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.