“Ballkani i hapur”, Ekonomi: Rritje ekonomike, lëvizje e lirë e profesioneve

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, u shpreh sot se nisma e “Ballkanit të hapur” sjell rritje ekonomike, zgjerim të bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe lëvizje të lirë të profesioneve.

Duke folur në një intervistë televizive mbi nismën “Ballkani i hapur”, Ekonomi tha se, “Ballkani i hapur ka tre gjëra të rëndësishme, për t’u njehsuar si i tillë”.

“E para është që ne vendet e Ballkanit, kemi vendosur që të zhvillojmë ekonomitë e vendit tonë, e secilit vend, secili mendon për ekonominë e tij, duke pasur parasysh që projeksionet që bëhen nga Banka Botërore mendohet që rritja mesatare mund të shkojë tek 2.5-3%. Por po të respektosh të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë që kemi lidhur ne, nëpërmjet CEFTA-s, mundësi për të bërë një rritje ekonomike më të madhe që të shkojë nga 6-7% ekziston. Pra, duhet të angazhohemi secili nga ne vetë që të kuptojmë që qasja jonë drejt zhvillimit duhet të jetë një qasje me një iniciativë shumë të fortë që vjen nga vendi”, tha Ekonomi.

E dyta, theksoi Ekonomi, “është shumë e rëndësishme që ato që kemi arritur në Procesin e Berlinit, ku kemi nënshkruar shumë marrëveshje dhe kemi qenë vende që donim të kooperonim me njëri-tjetrin, t’i zgjerojmë. T’i zgjerojmë duke pasur parasysh që ka marrëveshje që lidhen sidomos me procedurat administrative në kufi, ku ne lëvizim katër format e kapitaleve, mallrat, njerëzit, shërbimet dhe paratë. Dhe këto janë mundësi shumë të mëdha që kanë dalë si nevojë që të zhvillohen të gjitha vendet e Ballkanit dhe të zgjerojnë Procesin e Berlinit”.

Dhe shtoi, Ekonomi, “e treta, që për mua është shumë e rëndësishme, është lëvizja e lirë e profesioneve, e personave. Sepse tregu i punës në të gjitha vendet tona, është një treg që goditet nga emigracioni i lartë, ku ne humbasim krahun e punës. Që kështu në këtë kuptim, vazhdimi i iniciativave që ne marrim qëndrim personal, ne vendet bashkohemi dhe themi do të luftojmë për të zhvilluar vendet tona, bëhet shumë i rëndësishëm”.

“Në Procesin e Berlinit, një nga gjërat që ka ndodhur ishte njehsimi që po i bënim ne ligjit të profesioneve të rregulluara. Me profesionet e rregulluara, ne kemi një listë në Republikën e Shqipërisë që duhen bërë shumë gjëra, duhet të japësh provimin, duhet të marrësh licencën, duhet të mbash kreditet, siç është arkitekti, infermier, mjeku, inxhinieri. Ka shumë profesione që janë të rregulluara dhe nëse merrje një licencë tek urdhri përkatës i profesionit, kjo të njihej edhe në vende të tjera. Kështu kemi njehsuar profesione si infermierit. Një infermier shqiptar shkon dhe punon lehtë në Gjermani, sepse profesioni i infermierit është i rregulluar i njehsuar me të gjitha karakteristikat që ka tregu europian. Po këtë gjë kemi bërë dhe për të tjerat ne. Ne shkëmbejmë mjekë me Serbinë. Mjekët serbë vijnë këtu, mjekët shqiptarë shkojnë atje dhe regjistrohen tek urdhrat përkatës të këtij profesioni pra ka profesione të rregulluara”, theksoi ajo.

Përveç kësaj, shtoi Ekonomi, “ka dhe forcë pune dhe forca e punës kërkon që të bëhen disa rregullime të tjera. Për shembull të njihet ligji që kanë të drejtë të huajt të punojnë në Republikën e Shqipërisë. Dhe ne  e kemi kaluar një ligj të tillë në parlament në këtë legjislaturë që u mbyll, sepse duhet të lehtësosh procedurat e një të huaji që do të vijë në tregun e punës dhe do të sillet si shqiptarë për një periudhë të caktuar, sa ai do punojë në territor. Siç e bëmë ne këtë rregullim duhet ta bëjë të njehsuar edhe Serbia edhe Maqedonia e Veriut, edhe Mali i Zi edhe Kosova që të shkojnë dhe të shkëmbehen këto profesione”.

Sa i përket heqjes së pritjes në kufi më 1 janar 2023 mes vendeve të nismës “Ballkani i hapur”, Ekonomi tha se, “ne po ndërtojmë ato që janë pika të përbashkëta të kalimit kufitar. Domethënë mos kesh mundësi të presësh, siç e kemi ne me Kosovën, siç e kemi me Malin e Zi në periudha të caktuara. Nuk pret dy herë, pret një herë dhe këto kanë të bëjnë me data baza që vendosen midis vendeve për të kontrolluar ato që hyjnë dhe ato që dalin. Njerëzit kanë nevojë kur lëvizin që ta marrë në kujdestari shërbimi i brendshëm i vendit tjetër se mund të ndodhë një aksident, mund të ketë nevojë për shtrim në spital dhe ti je marrë nën mbikëqyrje, në kujdestari nga ai vendi tjetër. prandaj kur ti largohesh nga vendi yt, në drejtim të një vendit tjetër, policia e atij vendi është përgjegjëse, për sigurinë tënde, për shëndetin tënd. Dhe duke pasur një pikë kufitare të vetme natyrisht që kjo lehtëson shumë proceset e përkujdesjes, por bënë të mundur që edhe data bazat që ka krijuar BE, që janë FRONTEX, që kanë të bëjnë me numër shteti që ne e njohim NID-in tonë dhe e njeh dhe një shtet tjetër dhe di ta gjurmojë dhe një vend tjetër. Kjo tregon që data bazat po bëhen më të lidhshme dhe më të kuptueshme me njëra tjetrën. Pra do ketë një pikë kufitare”.

“Ka dhe një element tjetër që janë mallrat. E para është që ne kemi hequr tarifat dhe pas kësaj thamë që do të rregullojmë të gjitha procedurat administrative. Tani procedurat administrative janë pafund. Ne vendet përpiqemi të njehsojmë praktikat administrative dhe kjo tentohet të bëhet për të gjitha. Peshën më të madhe e zë tregtia, shkëmbimet tregtare. Dhe në shkëmbimet tregtare rajoni lëviz nga 60%-90% e gjithë eksporteve tona janë për rajonin. Dhe në këto ke 20% të produkteve që janë bazike, janë themelore për çdo vend. Në momentin që ne njehsojmë procedurat administrative krijohet korridori i gjelbër dhe nëse një produkt hyn në portin e Ankonës kalon në portin në Bar të Malit të Zi dhe vjen në Durrës, është njësoj procedura, është e njehsuar. Dhe këto po ndërtohen një nga një”, tha Ekonomi.

Ekonomi nënvizoi se me nismën “Ballkani i hapur”, Shqipëria përfiton nga forca energjetike dhe nga pozita strategjike, ku përfshihet prezenca e porteve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.