Ballina Ekonomi

Lidhet dhe ura e fundit e bajpasit të Vlorës

TIRANË, 1 korrik/ ATSH/ Në bajpasin e Vlorës, punimet po avancojnë me ritme të shpejta, ndërsa sot është lidhur dhe ura e fundit në të, çka mundëson që ky segment të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve gjatë këtij sezoni turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punimeve në këtë bajpas, i cili pritet të hapet më 15 korrik.

“Lidhet dhe ura e fundit e bajpasit të Vlorës”, tha Rama.

Bajpasi i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe përfundimi i kësaj vepre pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, në drejtim të bregdetit të jugut.

Bajpasi i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së me vlerë rreth 37 milionë euro.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund të autostradës Levan-Vlorë.

Në çdo 1.5 kilometra të kësaj rruge është parashikuar vendpushim për automjetet. Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEURO 2020 – Belgjikë-Itali, duel brezash dhe garë me kohën
Artikulli tjetërPalmer: SHBA e zhgënjyer që mbajtja e konferencave ndërqeveritare me Shqipërinë dhe MV mbeti e pazgjidhur, kjo prek edhe objektivat tona