TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Brukseli nuk arriti të caktonte datë për konferencën e parë ndërqeveritare me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut, si rezultat i vetos bullgare, që bllokoi Shkupin. Vendet e BE-së vendosën që të mos ketë ndarje mes dy vendeve për të avancuar në procesin e integrimit duke penalizuar kështu edhe Shqipërinë.
Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat me BE-në, Zef Mazi në një intervistë në medie u shpreh se kushtet u plotësuan dhe vendet e BE-së e pranuan, por data për konferencën e parë ndërqeveritare u shty për shkak të konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë.
“Për Shqipërinë për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare nuk ka asnjë kundërshtim më. Janë elementë më kompleks sesa marrëdhëniet Shqipëri-union. Ne kemi dy shtete, që kanë një konflikt mes tyre dhe mendohet që kjo mos marrëveshje duhet të zgjidhet sa më parë”, tha ai.
I pyetur mbi arsyen se pse Shqipëria nuk u nda nga Maqedonia e Veriut Mazi tha se në historikun e futjes së shteteve kandidate, janë dy raste që kanë hyrë individualisht Greqia dhe Kroacia, të tjerat në grup.
“Karakteri rajonal i futjes në union ka rëndësi. Procesi i zgjerimit nuk duhet as penguar dhe ngadalësuar, Bullgaria mendon se ka diçka që duhet ta zgjidhin, kjo është një çështje dypalëshe”, tha Mazi.
Por ai thekson se janë plotësuar të gjitha.
”Në një periudhë prej korrikut të vitit që shkoi dhe deri në mars të këtij viti janë bërë 10 përditësime të plotësimit të kërkesave. Në mbledhjen e parë që u bë, në mënyrë absolute të gjitha shtetet folën pozitivisht dhe Holanda që bëri kërkesën e paraqiti si qëndrim në parlament dhe tha “PO” Shqipëria ka plotësuar kërkesat për negociatat. Kemi raportuar ne, delegacioni dhe ambasadat në Shqipëri” deklaroi Mazi.
Kryenegociatori Mazi komentoi edhe qëndrimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Ai tha se Basha refuzoi tri herë kërkesat për ta takuar në kuadër të procesit të integrimit. /j.p/r.e/























