TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Nga letra të hedhura kuturu dhe pa asnjë lloj vlere, dokumentet e vjetërsisë në punë të qytetarëve shqiptarë janë sot të restauruara, të ruajtura dhe të aksesueshme në kohë rekord dhe me siguri maksimale.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado bën të ditur për ATSH-në se, “procesi i dixhitalizimit të regjistrave dhe borderove jo vetëm që ka ndryshuar konceptin e ruajtjes dhe përdorimit të tyre, por ka përshpejtuar ndjeshëm kohën e kthimit të përgjigjeve për të interesuarit”.
Arkivi Qendror i Sigurimeve Shoqërore, si një nga hallkat kryesore të sistemit të sigurimeve shoqërore, grumbullon, menaxhon dhe shpërndan të gjithë historikun e vjetërsisë në punë të qytetarëve shqiptarë.
Përgjatë vitit 2020 Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka lëshuar 28484 vërtetime. Ndër to, 17883 janë vërtetime për plotësim page për pensione pleqërie, dhe 9049 janë vërtetime të lëshuara për institucione të tjera.
Nga ana e Arkivit Qendror përgjigjja kthehet brenda afatit prej 10 ditësh. /a.a/r.e/























