FOKUS – Negociatat tregtare SHBA-Tajvan irritojnë Kinën

PEKIN, 11 qershor /ATSH-ANSA/ – SHBA-ja dhe Tajvani janë rikthyer për të diskutuar për një marrëveshje të mundshme mbi tregtinë dhe investimet duke rritur kështu zemërimin e Kinës.

Përfaqësuesja amerikane për tregtinë, Catherine Tai ka zhvilluar një takim virtual me ministrin tajvanez pa portofol, John Deng.

Palët kanë rënë dakord për të rifilluar bisedimet.

Tai ka shprehur interesin e vazhdueshëm të SHBA-së për të punuar me Tajvanin për çështje të interesit të përbashkët brenda organizatave shumëpalëshe.

“Kina shpreh irritimin e saj për çështjen e bisedimeve për të negociuar dhe nënshkruar një marrëveshje me një kuptim sovran me karakter zyrtar”, akuzoi zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Wang Wenbin.

Me paralajmërimin ndaj Uashingtonit mbi ndërprerjen e nevojshme të shkëmbimeve zyrtare me Tajpein, i konsideruar si një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez, Wang përsëriti thirrjen për të mos minuar marrëdhëniet dypalëshe dhe kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.

Bisedimet mes Tajvanit dhe SHBA-së për marrëveshjen TIFA (Tregtia dhe marrëveshja kornizë e investimeve) ishte pezulluar në 2016 dhe deri në atë kohë ata kishin vazhduar me ndërprerje, sipas analistëve tajvanezë, pas acarimit amerikan për disa kufizime në importin e prodhimeve bujqësore amerikane nga ishulli.

Këto ditët e fundit, sekretari amerikan i Shtetit,  Antony Blinken kishte shprehur qartë mundësinë për rifillimin e bisedimeve për tregtinë dhe investimet me Tajpein, që dëshiron që mosmarrëveshjet të marrin fund me nënshkrimin e një marrëveshje të tregtisë së lirë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.