Ballina Aktualitet

Vendimi i Kuvendit për raportimin e gazetarëve, reagon Meta

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagoi sot ndaj vendimit të Byrosë së Kuvendit, për raportimin e gazetarëve gjatë mbledhjeve të komisioneve parlamentare.

“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara. Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri”, u shpreh Meta.

“Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mos tërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, tha Meta.

“Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”, theksoi Meta.

Byroja e Kuvendit ka miratuar një rregullore sipas të cilës gazetarët dhe operatorët nuk mund të qëndrojnë në ambientet e komisioneve parlamentare gjatë kohës që zhvillohen mbledhjet. Transmetimi i mbledhjeve do të bëhet nëpërmjet një regjie qendrore, ndërsa gazetarët do të kenë mundësi t’i ndjekin nga News Room (një hapësirë e posaçme për gazetarët në Kryesinë e Kuvendit). /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakApple sfidon Zoom
Artikulli tjetërCOVID-19 – Republika Çeke hap kufijtë për turistët nga të gjitha vendet e BE-së