TIRANË, 27 maj/ATSH/ Administrata doganore shqiptare ka vënë në zbatim statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA), i cili i sjell biznesit përfitime në kohë dhe kosto dhe akses në tregje të reja si dhe më shumë bashkëpunim tregtar me vendet e BE dhe CEFTA-s.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj si dhe kreu i Doganave, Genti Gazheli ndanë sot certifikatën e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA) për kompaninë “Interbrands”.
“Interbrands” është një nga 4 kompanitë shqiptare që ka arritur të marrë këtë status.
“Me ofrimin e statusit OEA, reduktojmë kohën e eksport/importit, procedurat doganore, ofrojmë trajtim prioritar, siguri më të lartë dhe me standarde europiane”, u shpreh ministrja.
Denaj po ashtu theksoi se çdo biznes që plotëson standardet mund të aplikojë për këtë status, ndërsa siguroi se Ministria dhe administrata doganore do t’i mbështesë ata.
Çfarë është një OEA
Operatori Ekonomik i Autorizuar është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.
Sipas Kodit Doganor Shqiptar, janë dy lloje statusi për OEA që mund të lëshohen:
“OEA-D” për thjeshtime doganore që nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për thjeshtësime doganore dhe “OEA-S” për sigurinë dhe mbrojtjen që nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për lehtësira në kontrolle doganore.
Nëse një OEA kërkon të përfitojë një thjeshtim/regjim, dogana nuk shqyrton kushtet apo kriteret. /j.p/r.e/






















