TIRANË, 17 mars/ATSH/ Shefja e Infektivit, Najada Çomo deklaroi se është ende herët për relaksim të masave antikovid.
“Nëse pyet një doktor spitali, a duhen liruar masat, nuk është e pëlqyeshme. Ne shohim pjesën më të rënduar që ekspozohen ndaj virusit. Është herët për të çliruar masat. Nëse do kemi trend ulës, trend të ulur të shtrimeve në spitale atëhere mund të flitet. Por kjo i përket Komitetit të Ekspertëve”, deklaroi Çomo gjatë një interviste në medie.
Çomo u ndal edhe në diskutimet e fundit mbi vaksinën e “AstraZeneca”, duke theksuar se nuk ka vend për panik dhe se perceptimi që bëra vaksinën dhe më ndodhi tromboza, nuk është perceptim real.
“Ju them sinqerisht, duke përcjellë zërin e personave që mbulojnë Komitetin e Vaksinimit. Procesi i vaksinimit, e filluar nga ne si staf mjekësor ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte në 2021. I bie për tërë popullatën. Nëse shohim ne si mjekë spitali dritën jeshile, atëhere do të vijë edhe për popullin. S’ka vend për panik, jo nuk ka. A ka problem vaksina e ‘AstraZeneca’? Sigurisht që nuk ka, deri më sot pavarësisht diskutimeve për trombozën, mpiksje gjaku në mushkëri apo në duar, këmbë e organe të tjera. Nuk është gjetur shkaku direkt me vaksinën”, u shpreh Çomo.
“Një nga elementët apo fjalitë e thënë nga një anëtar i Komitetit në Londër, ato 37 raste brenda një periudhe 10-ditore apo 2-javore, nuk është gjetur një lidhje. Brenda një muaji ka 3 mijë persona që sëmuren nga trompoza, ky numër 37 është shifër e ulët, të paktën deri sot nuk gjykohet që është e lidhur me vaksinën. Nuk mund të them që vendet e zhvilluara gabojnë tek kjo pjesë. Por perceptimit që bëra vaksinën dhe më ndodhi trompoza, nuk është perceptim real. Trompoza ndodh edhe në raste të tjera. Është komplikacion madhor gjatë COVID. Trompoza ka pasur gjatë gjithë jetës së njeriut. Kështu që për trompozë ka faktorë gjenetikë, ka dhe sëmundje të tjera. Ata që vuajnë nga zemra, mushkëritë kanë predispozitë për të bërë trompoza”, deklaroi Çomo.
Shefja e Spitalit Infektiv, Çomo foli edhe për kandidimin e saj në zgjedhjet e 25 prillit, në listën e PS-së në Tiranë ku u shpreh se e kishte pranuar ftesën, pasi i ishte dukur një nderim për punën e përbashkët të mjekëve.
“Vjet kur ka filluar pandemia as e kisha menduar ndonjëherë të jem pjesë e politikës. Gjithmonë duhet të dini që unë përfaqësoj një “ne”, që jemi gjithë stafi i spitalit. E pranova ftesën e PS, sepse m’u duk një vlerësim, një nderim për punën tonë të përbashkët. Nëse unë do të jem pjesë e atij Kuvendi, ashtu sic kam bërë më të mirën në jetën time që nga fillimi punës tek Infektivi, shpresoj të jem një kontributore pozitive në Parlament, kryesisht në fushën e shëndetësisë, që e njoh mirë. Unë jam dhe do të jem në spital, deri ditën e fundit që do të kem pacientin e fundit me Covid. Nuk jam shkëputur asnjëherë. Do vazhdoj të jem në spital, për të dhënë kontributin, aty ku ka nevojë pacienti”, tha ajo.
Çomo u shpreh se e kishte ndjekur Parlamentin dhe kishte parë shumë gjëra pozitive që janë bërë, por edhe shumë pjesë që nuk i kishin pëlqyer. “Ndoshta do të përpiqem të gjej një të mesme për të dhënë atë pjesën e mirë”, shtoi ajo.
E pyetur se çfarë do të donte të ndryshonte në sektorin e shëndetësisë pas hyrjes në Parlament, Çomo tha se në Parlament do jap kontributin tim nga ana profesionale, akademike.
“Nuk mund të themi që mjekësia është e përkryer, por duke qenë pjesë e mjekësisë dhe kësaj pandemie, kjo na mësoi shumë elementë pozitivë. Pamë elementë negativë që duheshin përmirësuar, ka të tjerë që duhen përmirësuar. Në Parlament do jap kontributin tim nga ana profesionale, akademike. Shëndetësia do të përmirësohet, por më urgjente është menaxhimi i pandemisë dhe vaksinimi i popullatës. Sfida më e madhe në këtë muaj do vazhdojë të jetë pjesa e pandemisë, në mënyrë që përmes vaksinimit të ulim në minimum infektimet. Ne e dimë që janë cenuar shumë elementë, por i pari është shëndeti. Si pasojë e pandemisë është cenuar gjithçka në Shqipëri”, deklaroi ajo.
Ka fituar ajo apo Rama me futjen në listë? Çomo iu përgjigj se, “besoj se kemi fituar të dy palët nga kjo pjesë”. /j.p/r.e/























