Nëse do të votohej sot, PS fiton e vetme mandatin e 3-të me 51%, PD me aleatët 41%, rënie për LSI 4% 

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Nëse shqiptarët do të votonin sot, në rang kombëtar PS fiton 73 mandate, ndërsa PD 56 mandate dhe LSI fiton 10 mandate. Edhe me marrëveshjen për koalicion paszgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim dhe LSI së bashku nuk arrijnë të bëjnë shumicën. PS me këtë rezultat merr mandatin e tretë.

Instituti prestigjioz italian “Piepoli”, publikoi sonte në Report TV sondazhin e katërt për zgjedhjet politike të 25 prillit, 41 ditë para zgjedhjeve duke u fokusuar edhe në disa tema.

Sipas sondazhit, PS merr 47-51 % të votave e përkthyer në 69-73 mandate, ndërsa PD merr 37-41 % të votave ose 54-56 mandate duke pasur rritje nga 2017 ku mori vetëm 43 mandate. LSI ka tkurrje të votave ku merr 4-8 % të votave ose 8-10 mandate nga 19 mandate që ka marrë në 2017.

Luftë për 1 mandat kanë dhe disa parti të tjera.

Sondazhi ka sjellë rezultatet edhe për disa qarqe të vendit. Kështu, nëse do të votohej sot në Tiranë, PS do të fitonte bindshëm ndërsa LSI do të kishte rënie krahasuar me zgjedhjet e 2017.

Për Partinë Socialiste në Tiranë do të votonin 49-53%, shifër kjo e përkthyer në 18-20 mandate deputetësh. Në këtë mënyrë PS do të ruante rezultatin e vitit 2017, duke pretenduar një rritje me 2 deputetë.

Nga të dhënat e sondazhit, del se për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ndryshim do të votonin 35-39% ose 12-14 mandate. Krahasuar me vitin 2017 Partia Demokratike ka një rritje të numrit të mandateve, pasi në vitin 2017 ka fituar 11 mandate në kryeqytet.

Rënie në kryeqytet ka pësuar Levizja Socialiste për Integrim, ku nëse do të votohej sot, LSI do të merrte 4-8% të votave, ose përkthyer kjo në mandate 1-3 mandate. Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2017, LSI ka fituar 5 mandate.

Nëse qytetarët do të votonin sot në qarkun e Elbasanit, sipas sondazhit, PS do të merrte  49-53 % të votave e përkthyer në 6-8 mandate, ndërsa koalicioni PD-Aleanca për Ndryshim do të merrte 37-41 % të votave e përkthyer në 5-7 mandate.

 Nëse sot do të votohej në Durrës, 43-47% e qytetarëve do të votonin për Partinë Socialiste, përkthyer kjo në mandate 6-8 mandate. Sipas sondazhit, për Partinë Demokratike bashkë me aleatët do të votonin 38-42% të qytetarëve, përkthyer kjo në 4-6 mandate,për LSI-në do të votonin 6-10%, e cila është në garë deri në 2 mandate. 

Nëse do të votohej sot në qarkun e Shkodrës, sipas sondazhit të Piepolit PD ruan bastionin e saj duke pasur dhe rritje të mandateve. PD pritet të marrë 46-50 % të votave e përkthyer në 4-6 mandate, ndërsa rritje njeh edhe PS e cila merr 36-40 % e të votave e përkthyer në 3-5 mandate. Për 1 mandat lufton edhe LSI e cila merr 4-8 % të votave dhe partia e Jozefina Topallit mund të marrë 1 mandat.

Nëse do të votohej sot ne qarkun e Beratit, PS kryeson me 53-57 % e përkthyer në 3-5 mandate, ndërsa PD njeh rritje duke dyfishuar votat duke marrë 28-32 % duke luftuar për 1-3 mandate. Ndërsa LSI ka tkurrje të votave duke marrë vetëm 1/3 e votave të 2017 dhe lufton për një mandat.

Në qarkun e Korçës, PS ka një rritje në vota. Po të votohej sot sipas sondazhit, socialistët do të merrnin 49-53 % të votave ose 5-7 mandate. Ndërsa PD ka një rritje krahasuar më 2017 ku do të merrte 33-37 % të votave duke luftuar për 3.-5 mandatë. Edhe LSI lufton për një mandat edhe pse ka përgjysmim të votave ku do të merrte vetëm 4-8 % ose 0-2 mandate.

Nëse do të votohej sot ne qarkun e Kukësit, sipas sondazhit, koalicioni i PD sipas sondazhit pritet të marrë 52-56 % të votave duke luftuar për 1-3 mandate. PS pritet të marrë 35-39 % të votave.

Nëse do të votohej sot në qarkun e Lezhës, pritet të marrë 50-54 % të votave e përkthyer në 3-5 mandate. Ndërsa PS ruan rezultatin e 2017 duke marrë 36-40 % e përkthyer në 1-3 mandate.

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot në kutitë e votimit do të shkonin 56-58% e shqiptarëve.

Pjesëmarrja e mundshme në zgjedhjet e 25 prillit ka ardhur në rënie. Duhet thënë që në sondazhin e zhvilluar nga Piepoli në muajin nëntor pjesëmarrja ka qenë 59-63%, pra një rënie me 5%.

Shumica e qytetarëve mendojnë se thirrja e SHBA-së për kandidatë të pastër në lista shkon për të gjitha partitë politike në Shqipëri.

Në sondazh 76% e të pyeturve shprehen se kjo thirrje është për të gjitha partitë.

Sjelljet e fundit të presidentit Ilir Meta janë gjykuar nga shqiptarët si të gabuara.

47% e të pyeturve thonë se Meta po bën fushatë për opozitën, 9% thonë se po përgatitet për të marrë drejtimin e opozitës dhe 5% thonë se akuzon pa menduar. Ndërsa 26% i japin plotësisht të drejtë në reagimet e tij.

60% e shqiptarëve nuk janë dakord me marrëveshjen e nënshkruar nga PD-LSI për një koalicion qeveritar pas zgjedhjeve nëse dalin fituese. 37% e të pyeturve e kanë cilësuar si “negative” këtë marrëveshje, ndërkohë që 23% të tjerë “shumë negative”.  36% e vlerësojnë pozitivisht, 4% kanë zgjedhur që të mos përgjigjen.

Shqiptarët mendojnë se qeveria Edi Rama e ka menaxhuar mjaft pozitivisht pandeminë e COVID-19. 49% e të anketuarve mendojnë se kjo pandemi është menaxhuar pozitivisht.

Në sondazhin e sotëm ka pasur më shumë qytetarë të anketuar, mbi 1000 persona, të ndarë në qarqe.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.