TIRANË, 12 mars /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ishte sot në Cërrik të Elbasanit ku ndoqi nga afër procesin e dhënies së kartës së naftës falas për fermerët, përfitues të skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë, që ka nisur të zbatohet më 15 janar të këtij viti.
Ekonomi u shpreh se, po vijon një prej proceseve më të rëndësishme të programit të qeverisë në mbështetje të fermerëve, dhënia e kartës për naftë pa akcizë, pa taksë qarkullimi dhe pa taksë karboni, që do të thotë se për çdo fermë që kryhen procese të mekanizuara bujqësore në çdo 100 litra naftë të nevojshme, 54-56 litra i merr falas.
Ministrja vuri në dukje se, fermer aplikantë përfitues të kësaj skeme mbështetëse janë të pajisur me NIPT që lidhë me aktivitetin e tyre, me një parcelë bujqësore.
“Sipas kësaj skeme e përfitojnë individët e shoqatat e bashkëpunimit bujqësor, që kryejnë aktivitet bujqësor dhe kanë në pronësi ose përdorim, tokë bujqësore mbi 0.4 hektar dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektar”, tha Ekonomi.























